Press "Enter" to skip to content

Përse mendohen këto male – Ismail Kadare

Heroika dhe tragjika – një zemëratë rrënuese
Poema “Përse mendohen këto male”, me simbolikën dhe me idetë e veta, ka ushtruar një ndikim të ndieshëm në mendimin e lexuesve të vet, veçmas në Kosovë. Ndoshta më shumë se disa vepra edhe më të rëndësishme të autorit. Edhe për shkak të këtij komunikimi me shkallë të lartë, ndoshta do të ishte e dobishme që autori t’i rikthehej (nëse nuk i është rikthyer tashmë, sikundër ka bërë me shumë vepra të tij), dhe të bëjë një rikompozim të ri të disa elementeve të saj moralë dhe ideologjikë e rrjedhimisht edhe estetikë.
Mbijetesa shqiptare nëpër humnerat e historisë, duke qenë njëra nga shtyllat më të forta të tematikës së letërsisë shqipe, ka ushtruar një ndikim jo të pakët për krijimin e një ideje të reagimit dhe të vetëpërcaktimit të njeriut shqiptar. Sipas këtij vetëpërcaktimi, edhe njeriu me nëntë plagë në trup ( Gjergj Elez Alia), e mund armikun dhe lë pas vetes kujtimin e një figure heroike e tragjike njëherësh. Pikërisht kjo simbiozë e heroikes dhe e tragjikës, që shpalos një vetëëprcaktim shqiptar, është bosht tematik dhe ideor i poemës “Përse mendohen këto male” të Ismail Kadaresë. Kjo poemë mund të mirret si një shembull i krijimit të një vepre shenjuese të mbijetesës, me një ngjizje të heroikës dhe të tragjikës shqiptare.
Një intonim i fuqishëm psikologjik
Poemën “Përse mendohen këto male” Ismail Kadare e shkroi në vitet 1962-64, që ishin vite të përshkuara nga vetizolimi ekstrem i Shqipërisë, nga kërcënimet e jashtme dhe nga glorifikimet ideologjike të vetizolimit. Por, duket se rrënimi i brendshëm i Shqipërisë kishte filluar të jipte shenja alarmante, aq sa poeti ndiente nevojë që të rikonfirmojë edhe një herë fuqinë e mbijetesës shqiptare. Edhe pse Kadare nuk i referohet në mënyrë eksplicite kohës aktuale dhe vetizolimit aktual, është evidente se aty është konteksti i frymëzimit/ shqetësimit, prej nga poeti del subjekt aktiv, një dëshmitar dhe një pjesëmarrës në atë lëvizje dëshmuese të mbijetesës:
Vrapon hija e pushkës
Pret male, fusha, fshatra,
Hija e tytës lëviz shpejt në muzg.
Eci dhe unë në një pllajë të pjerrët
Me një mendim në kokë
Diku.
Një poet i vetmuar, “në një pllajë të pjerrët”, i preokupuar me pamjen gjigante të hijes së  pushkës,  (Hija e mendimit dhe hija e pushkës/ Kryqëzohen e përplasen në muzg), vetë shndërrohet në një protagonist të  izolimit dhe të meditimit për enigmat e fatit. “Hija e mendimit”, e cila kryqëzohet me hijen  e pushkës, është ndërgjegjësimi/vetëëprcaktimi autorial, i cili u  huazohet maleve, që ato të mendojnë për fatet e veta dhe të banorëve të vet. Ajo vetmi dhe ai muzg, janë ambienti i një introspeksioni dramatik për kohët e kaluara dhe fatet e ardhshme. Më duket se kapja e këtyre dy elementeve, vetmisë dhe muzgut, ka bërë që teksti poetik të ketë një intonim të fuqishëm psikologjik.Ndërsa, pushka është figura qendrore e poemës dhe boshti i ideve të poetit për vetëpërcaktimin e njeriut shqiptar nëpër shekuj:
Kështu ke ecur gjithmonë, Shqipëri,
Me këmbët e gjata,
Me një pushkë të gjatë,
Ecje dhe s’dije ku veje ti.
Pushka është shëmbëllim i gjymtyrëve, një gjymtyrë faktike, në të cilën është mbështetur Shqipëria, për të qëndruar në këmbë. Më tej, pushka është edhe vlerë e ripërtëritjes, e barazvlershme me ripërtëritjen biologjike të njeriut shqiptar, e krahasuar me gruan:
Se gruaja lindte fëmijë,
Por pushka lindte krisma,
Dhe për shqiptarin ishin
Po aq të shtrenjta të dyja:
Dhe krisma dhe fëmija.
Në shpalosjen e një introspeksioni dramatik të fateve kombëtare, me një intonim të fuqishëm emotiv, pushka figurohet edhe si njësi matëse e tokës së atdheut, si leva e Arkimedit, si vazhdim i shtyllës vertebrore, si fat mbi shpinë të njeriut shqiptar. Është një seri e argumentimit të fuqisë së mbijetesës, e koncentruar nëpër shumë vargje, me një ngulmim imponues.
Por, si gjithnjë fati ka me vete edhe fatkeqësinë. Pushka i hante njeriut edhe yndyrën e pakët, po i shkurtonte jetën, gjë që është me anën e një figure mbresëlënëse  në vargjet ( Më të gjatë shtatin ia bënte pushka,/ Megjithëse shpesh jetën më të shkurtër ia bënte./
Akuza ndaj historisë
Introspeksioni  i dominuar nga ndjenja të rrëmbyeshme, zbulon armiqtë e simbolit shqiptar të rezistencës dhe të mbijetesës, edhe atje ku nuk mund të kërkohen racionalisht. Në një atmosferë tjetër poetike, poeti mbase do të kërkonte fndryshkjen e mjetit të vrasjes, (pushkës), por i rrëmbyer nga ideja e heroikes, në një ligjërim për vetëpërcaktimin kombëtar, ai akuzon ata që nuk kanë predikuar përdorimin e pushkës:
Dhe fjalët latinisht dhe fjalët arabisht
Mbi tytën e pushkës  binin si ndryshk.
Dhe jo vetëm fjalët latinisht e  arabisht shenjohen si elementë të përgjumjes, të kllapisë e të mashtrimit. “Ca poetë” që shkruanin për zanat e shtojzovallet, për bjeshkët epike, Kadare i sheh si përgjumës dhe mashtrues, mbase duke mënjanuar për një çast faktin se pikërisht në kohëra dëshpërimesh të rënda, poetët hymnizojnë të kaluarën, përpiqen që përmes saj të ngjallin te njerëzit krenarinë dhe ndërgjegjësimin. (Poetët romantikë dhe postromantikë nuk mund të bënin ndryshe as në Shqipërinë e mbytur në mjerim  e vuajtje.)
Mollokët e zemërimit dhe të fajësimit përplasen edhe për Pallatin e  mbretit, për shtetin, për jetën mondane, për mitet, për tërë historinë. Është një zemëratë rrënuese, që sfidon gjithçka, në përpunimin e idesë shpëtimtare, e cila vjen në formën e një shpëtimtari, (Partinë Komuniste), megjithëse në tërë intonimin e poemës, duket si një shartim disi i panatyrshëm.
Më duket se edhe ndarja e poemës në 24 njësi, më shumë se si konstruksion artistik, është bërë për të strukturuar idetë autoriale për rendin e defekteve të vlerave dhe të historisë kombëtare, për numërimin e armiqve të Shqipërisë, duke i theksuar veç e veç. Ndarja në njësi të vogla, pa një rend kronologjik motivor ndërmejt tyre, e bën konstruksionin artistik të poemës që të jetë i brishtë, aq sa disa nga njësitë mund të funksionojnë edhe si poezi më vete. Ligjërimin me emocione të forta Kadare e ka materializuar me një varg të larmishëm, që materializon oscilimet tematike dhe të ideve poetike. Është një varg i lirë, i mbushur me interpunksion, si për të sugjeruar një të folur me ngulçe. Në pjesën dërrmuese të poemës vargjet shtrihen në gjerësi  narrative:
Dhe Shqipëria prapë strukej në kasolle,
Në netët e saj të zeza mitologjike:
Në ca tela lahute kërkonte të thoshte diçka
Nga shpirti i pakuptueshëm i saj.
Mirëpo, ka edhe njësi  ku ndodh reduktimi i vargut, kapja e detajit:
Dhe përmbi trup,
Si shtesë  e hekurt,
I rritej e zezë
Pushka e gjatë.
Një çast i shkurtër dhe një histori e gjatë
Pozicioni kohor fiksohet që në vargun e dytë të poemës: “Ndërsa dielli tutje perëndon në xhade?” dhe poema mbyllet me vargun që sërish e fikson gati të njëjtën kohë: “Ndërsa muzgu po bie tutje në xhade”. Pra, është një kohë fare e shkurtër, kohë nga një perëndim dielli në një muzg po në të njëjtën xhade, ndërsa në mes është introspeksioni për historinë e gjatë, heroike dhe tragjike  të atdheut, me një zemëratë rrënuese.
Poema “Përse mendohen këto male”, me simbolikën dhe me idetë e veta, ka ushtruar një ndikim të ndieshëm në mendimin e lexuesve të vet, veçmas në Kosovë. Ndoshta më shumë se disa vepra edhe më të rëndësishme të autorit. Edhe për shkak të këtij komunikimi me shkallë të lartë, ndoshta do të ishte e dobishme që autori t’i rikthehej (nëse nuk i është rikthyer tashmë, sikundër ka bërë me shumë veprat të tij), dhe të bëjë një rikompozim të ri të disa elementeve të saj moralë dhe ideologjikë e rrjedhimisht edhe estetikë.
Milazim Krasniqi, Prof. Dr.

Të tjera nga ky autor:

    Nuk ka botime të tjera nga ky autor.

Be First to Comment

    Komento