Press "Enter" to skip to content

Nga një atlas i fjalëve të vështira

E di që po e lexon këtë poezi,
më vonë, para se të largohesh nga zyra,
nën të vetmen llambë të verdhë
dhe dritaren që erret
në lodhjen e një ndërtese kredhur në qetësi,
kur ora e saj ka kohë që ka kaluar.
E di që po e lexon këtë poezi në këmbë,
në një bibliotekë të madhe oqeanit, në një ditë gri, kur
fill nis pranvera,
e cefla të dritës së vërtiten,
ndër hapurt e pamata të lirishtave.
E që po e lexon këtë poezi,
në një dhomë që ka ndodhur
shumë më tepër ngjarje se ç’mund të mbash mbi shpinë,
ku shumë çarçafësh lëshohen plogësht në shtrat
dhe valixhja e hapur flet për arratinë,
por tashmë vonë për t’ia mbathur. .
E di që po e lexon këtë poezi,
teksa metroja e lehtëson vrapin,
para se të lëshojë shkallën e një dashurie të re,
që kurrë s’ta dhuroi jeta.
E di që po e lexon këtë poezi nën dritën e televizorit,
ku tronditur rrjedhin pamje të pazëshme,
ndërsa ti pret lajmet e fundit për “Intifadën”.
E di që po e lexon këtë poezi,
në një sallë pritjeje,
me sytë që ndeshin sy të huaj,
që kurrë me ty s’do të njihen.
E di që po e lexon këtë poezi nën një dritë neoni,
me mërzinë e lodhur të rinjve,
që ndihen shumë dhe që ngutshëm vetëpërjashtohen.
E di që po e lexon këtë poezi dhe me shikim jo të kthjellët,
lentet e tua të trasha
i zgjerojnë shkronjat tej çdo kuptimi
e gjithqysh ti vazhdon të lexosh,
ngase edhe alfabeti është i çmuar.
E di që po e lexon këtë poezi në kuzhinë,
teksa ngroh qumështin,
me një foshnjë që ka në shpatull dhe një libër në dorë,
sepse jeta është e shkurtër dhe ti je i etur.
E di që po e lexon këtë poezi, që s’është në gjuhën tënde:
dhe disa fjalëve nuk ua di kuptimin,
ndërsa të tjerat të grishin të leximit
dhe unë shumë doja të dija se cilat janë.
E di që po e lexon këtë poezi,
duke pritur të dëgjosh diçka,
të ndarë mëdyshas midis hidhërimit të shpresës
e më tej t’u kthehesh përgjigjeve që
s’i braktisësh
E di që po e lexon këtë poezi,
sepse s’ka asgjë tjetër më mirë për të lexuar,
aty ku je ankoruar,
lakuriq siç je.

Solli në shqip nga anglishtja: Rielna Paja

Autori
Adrienne Rich
Autori
Rielna Paja