fbpx Press "Enter" to skip to content

Flutura AÇKA: Cikël poetik 2 (Roja i dritës)

Asgjëja

Lart,
në ajër të mangët,
kafka më ajet nga zbrazja.
Aty, veç lutja ka vlerë,
dhe kotësia bëhet materie.
Përse kjo ndjeshmëri qielli,
përse kjo denduri drite,
i mangët duket atje, poshtë,
ku lëvrin i pangopur njerëzimi?

Vdekatarë,
ndaleni plojën e shpirtit makut!
Jeta është një,
një je dhe ti,
vulgar i papërsëritshëm,
me dimensionin e epshit dhe t’pangimjes,
i hirshmi hi,
e bukura mrekulli,
që veten e thirre Njeri!

Ndale plumbin e mërisë,
ti grimca e papërfillshme,
mosgjëja,
që krekosesh në merkaton e idiotësisë,
veshur me vese firmato,
mbathur me t’shkujdesjes tunikë.

Pa shih,
edhe retë këtu lart,
janë më të fisme,
se perfeksioni yt motorik.
E vetmja krenari e jotja,
arsyeja,
nuk të ndihmoi dot, njeri,
të jesh i gjithi njeri.

Ku-ku, sa ulët, shpesh, fluturon ti!

Funddhjetor 2017

Aksi i sigurisë

M’u zbehën sot ngjyrat,
mua, krijesës së brishtë,
të përrallës së vjetër t’errësirës.
Tretet zjarrtymi im,
në flurimë t’etertë diku,
fikndizet.

Kam kohë që jam qenie, e
zhvendosur nga aksi i sigurisë.
Ngul një spirancë droje,
por një shtjellë trishtimi,
m’kaplon.

Unë,
që mund të tërboj
një botë, me gëzimin tim,
ankoroj pasiguri, në
një liman pa emër,
buzë dritës,
tani.

18 korrik 2017

Aritmi e kohës

Akrepat në fushën e ankthit,
si pleq ngatërrojnë rrugën,
ecin ngadalë,
ora është pafundësi,
minuta është shekull,
çasti, vetë jeta.

Kur bisturia ther në ind,
akrepat kthehen në bisturi,
të shpirtit tim.

WKZ, 19 korrik 2017

Nga vëllimi “Roja i dritës”, Skanderbeg Books, 2018

 

Be First to Comment

    Lini një Përgjigje