fbpx Press "Enter" to skip to content

Agim PIPA: Cikël poetik

Dimër, mëngjes janari

Me një gotë çaj,
zgjoj ditën dhe të afrohem,
ndërsa ëndrrat,
arratisen në luginat e hënës.

Më pret udha pas pak.

Ty,
të përsëriten ende në gjumë,
skenat e së djeshmes
dhe ul zërin para fëmijëve,
që, për ty,
janë zgjuar edhe kur ti fle.

Cila perëndi
mund t’i rezistojë bukurisë tënde?

Bën ftohtë jashtë… dhe
me një gotë çaj, unë marr qytetin në sy
dhe nisem për larg,
drejt luginave të dëborës…

Për një parfum tëndin

Me brymë mëngjesi, por
edhe mbrëmjeje,
i parfumos sytë dhe duart.

Bën dimër,
larg në Alpe, akull dhe dëborë. Dhe
sfinksi i dashurisë përsërit pa pushim,
alfabetin e poemave,
që flenë ndër vite.

Me brymë mëngjesi,
me përqafime të bardha, ndër drita, mbrëmja;

për një parfum tëndin,
zbret nga Alpet
edhe dëbora…

 

***

Pa moshë,
historia ime me një tufë engjëjsh,
që ndriçuan trupin tënd,
nëpër natën e thellë
dhe plot yje…

Gjithë jeta më rrjedh,
në limfën e trupit dhe shpirtit tënd;

gjithë viti
me sytë, gojën, fjalën dhe zemrën,
mbi limfën e dashurisë tënde.

U shenjtërofsh bukur, si një engjëll,
shenjtorja, që fle ndanë supeve të mi
dhe që
ndrin mbi gjymtyrët e jetës sime!

Ode dimri

Doja ta mbështes ditën dhe planetin,
mbi gjymtyrët e njerëzimit, mbi duart
e punëtorëve të një fabrike,
që prodhon bukë dhe birrë, verë dhe djathëra;
doja ta vendos fytyrën e bardhë të ditëve,
mbi supe të mëndafshta grash dhe krahë të fortë burrash;
doja t’i këndoj lirisë, ende në pranga, të vendit tim,
netëve me dritën e syrit tënd, mëngjeseve blu
dhe fushave të blerta të poezive të miqve të mi,
që zbresin si pulëbardha,
në mesditat e praruara nga velat e anijeve,
thellë në det.

Ku ta gjej frymëzimin, ku?

Rilind,
për të qenë sërish fëmija,
që beson se ajri dhe dielli,
uji dhe dashuria,
janë dimensionet,
që mund të bëjnë jetën e të gjithëve.

Rilind,
në kupolën e një katedraleje, që ka në themel
kambanat e të ikurve, që i kënduan lirisë
dhe ëndrrave, që më çojnë
në universin e së bukurës.

Sot e përgjithmonë…

 

Pasqyrat, ku vizatoj veten

I mundur
nuk mund të jesh kurrë në qytetin tënd;
i mundur je
vetëm në bodrume këpucësh,
rrobash të vjetra, që bien era naftalinë;
vetëm në trajektore piruetash, takash dhe buzësh,
anonime, të gjitha anonime.

Marr frymë thellë dhe rruga
ngjitet lart përmes sysh,
që më çojnë në hapësirë, në banesat e hënës.

Them se në të gjitha kohët,
unë mund të vizatoj veten,
në pasqyrat e qytetit tim;
në pasqyrat që kushtojnë
vetëm oksigjenin që më falin
një liqen
dhe parku i gjelbër, ku flenë miliona zogj…