fbpx Press "Enter" to skip to content

Tasos LIVADHITIS: Fletë ditari

Kush e di ç’do të ndodhë nesër
ose kush e mori vesh se ç’ndodhi dje?
Vitet që humbën andej-këtej nëpër kthina, trena, ëndrra
dhe, ndonjëherë, zëri i një gruaje, siç bie muzgu,
ngjan me lamtumirën e një moshe që mbaroi
dhe ditët që të mungojnë, o Shkurt,
ndoshta do na jepen pas në Parajsë.
Mendoj për hotelet e vogla,
ku shpërndava psherëtimat e rinisë sime,
derisa në fund s’shpëton dot asnjë,
por, të shkojë, ku?
Dashuria është çmenduria jonë,
mbi pamundësinë e njohjes së njëri-tjetrit.
Zot, i ndëshkove poetët,
duke u dhënë vetëm një botë;
kur të vdes, dua të më varrosin në një kapicë letrash ditari,
që të marr me vete edhe kohën.
Dhe ndoshta, çfarë do mbetet, të jetë
një lule e vogël “mos më harro”,
në cep të rrugës sonë.

Përktheu nga greqishtja: Eleana Zhako