fbpx Press "Enter" to skip to content

Nikolla SPATHARI: Poezi

Kërkohet Migjeni

Lypësi në kishë,
vazhdon të mallkojë fjalët e priftit nën zë,
është po ai lypës dhe po ai prift,
vetëm Migjeni s’është më.
Sokratë të vuajtur
dhe derra të kënaqur,
në çdo kthesë rruge i takon.
Ata të gjithë si atëherë,,
vetëm Migjeni mungon.
Punëtori i papunë,
atë grushtin e fortë kërkon,
përsëri, duke pritur,
që t’i bjerë malit, se mali është aty,
vetëm Migjeni ka ikur.
“Pak dritë, pak dritë…” ,
një qiri i ndezur
është refreni,
Errësira ka mbetur errësirë,
nuk është vetëm Migjeni.
Ende mjerimi,
“Fytyra të zbehta
dhe sy të jeshilta” rrëfen.
Ju vite, që s’na dhatë asgjë,
na jepni, së paku, një Migjen!

Fund vjeshte

Pushoi poterë e shirave,
tej në fusha,
rrëmuja e vetëtimave, me zigzage të ngatërruara,
u shkri mbi male,
gjethet, si balerina të çmendura,
hidhen në valle…
Pemë të zhveshura,
si ëndrra pleqsh,
duket se janë tharë për fare,
dimri zbret lehtë nga një baladë e vjetër stinësh,
me ca fije bore në dritare…

Në vendlindje

E kujton pylli i bleruar?
Po lëndinën e fshatit e mban mend?
Se dikur, shumë vite të shkuar,
lindi një fëmi në këtë vend.
Linda unë, kënduan zogjtë në lisa,
gëzim i madh kodrave qe derdhë,
sa shumë këngë, gaz edhe krisma
për një çapaçul me flokë të verdhë.
Lindje edhe vdekje ka çdo ditë,
ato vijnë e ikin me kismet,
por kish lindë atë ditë i pari djalë,
që nga fshati do bëhej poet.
Kishte lindur poeti i parë,
ndërsa dielli pas malit qe dukur,
dhe për shans edhe fat të bardhë,
e kish lindur gruaja më e bukur.