fbpx Press "Enter" to skip to content

Ilir SEFAJ: Poezi e meditimit dhe e rezignatës intelektuale (Mbi poezinë e Azem Shkrelit)

Është thënë ngaherë se një poezi e mirë, e cilësisë së lartë, rëndom vjen si rezultat i një meditacioni të thellë, por, në radhë të parë, një vepër e arrirë artistike vjen edhe si rezultat i një përqasjeje serioze drejt një letërsie të krijuar nga njerëz pasionantë, të cilët jetën e tyre e lidhin me artin letrar apo më mirë jeta e tyre është sinonim i këtij arti.
Është thënë po ashtu ngaherë se vlera artistike e veprës letrare nuk qëndron në interpretimet që i bëhen asaj, por ajo është në vetë veprën letrare. E themi këtë meqë gjykimi kundrejt një krijimi të caktuar, në cilën do kohë e në cilën do rrethanë që jepet, ai është kryekëput subjektiv, ani pse ekzistojnë shkolla, metoda e dije të tjera, mbi të cilat mbështetemi parimisht.
Teoricieni i njohur bashkëkohor amerikan, Xh. Kaller, shprehet: “Të interpretosh një poezi është çështje e përpunimit nga të dhënat e tekstit dhe nga dijenia jonë e përgjithshme rreth folësve dhe gjendjeve të zakonshme, e natyrës së qëndrimeve të folësit”.
Letërsia bashkëkohore shqipe, në veçanti ajo e dy dekadave të fundit të shek. XX, karakterizohet në radhë të parë për nga gjerësia tematike e saj, ndërsa mjetet e saj shprehëse ishin të çliruara nga rregullat e ngurta e strikte që në njëfarë mënyrë e ‘cenojnë’ lirinë shprehëse, e cila është e domosdoshme për secilin krijues. Po ashtu karakteristikë tjetër e kësaj letërsie është edhe fakti se autorët që krijuan në këtë periudhë, po edhe më herët, kërkonin krijimin e një individualiteti krijues, dhe doemos të sillnin diçka të re në letrat shqipe.
Prurjet e reja letrare të dekadave të fundit të shekullit XX, në veçanti ato të viteve ’90, dëshmojnë për një pjekuri krijuese të autorëve tanë të cilët medoemos në artin letrar në përgjithësi e në atë poetik në veçanti, sollën vlera të çmuara letrare e artistike të panjohura më parë në letrat shqipe.
Duhet thënë se shfaqjen e disa krijuesve në këtë periudhë do konsideruar fatlume ngase letërsia bashkëkohore shqiptare u shpërblye me art të mirëfilltë dhe me vlera tejkohore.
Njëri ndër këta krijues që me penën e tyre dëshmuan se dinë të shkruajnë poezinë dhe jo vetëm atë, pa mëdyshje është edhe poeti rugovas, Azem Shkreli (1938 -1997).
Azem Shkreli është konsideruar me të drejtë si njëri ndër zërat më autentikë të poezisë moderne shqipe, i cili ka gërshetuar në mënyrën më mjeshtërore dijen me talentin, dhe ka mbajtur një vijë poetike tejet të konsoliduar në raport me rrethanat dhe kohën në të cilën ka krijuar.
Poezia e këtij autori herë-herë merr nuanca të theksuara intime, herë-herë “fotografon” ambiente të caktuara, e jo më rrallë ironizon ide e mentalitete arkaike, të cilat kërkojnë kohë e kurajë për t’u ndryshuar. Sigurisht që diskursi poetik i Azem Shkrelit është modern edhe kur i këndon atdheut, edhe kur i thur elozhe dashurisë, edhe kur ironizon, por edhe kur “fotografon” pamje reale e abstrakte, të cilat janë rezultat i imagjinatës së tij të pasur.
Poezia e Azem Shkrelit tingëllon e freskët dhe aktuale ngase gjerësia e saj tematike, shprehja e pasur gjuhësore, përdorimi me masë i figurës letrare, vënia në pah e disa reflekseve metafizike, ka dëshmuar se ky autor është i mishëruar me artin letrar e në veçanti me atë poetik.
Azem Shkreli është i pranishëm në letërsinë shqipe qysh në fillim të viteve ’60, mbase edhe më herët, mirëpo qëllim i kësaj përqasjeje është vënia në pah e disa refleksioneve karakteristike të kësaj poezie, e cila u botua në dekadën e fundit të shekullit XX, ku shprehet qëndrimi ironik i poetit karshi realitetit ekzistues.

Ironia si shprehje e qëndrimit kritik ndaj mjedisit jetësor

Ironia si shprehje e qëndrimit kritik është konstantë permanente e veprës poetike të Azem Shkrelit. Poezia e këtij autori, e cila u botua në dekadën e fundit të shek. XX, karakterizohet në radhë të parë për gjerësinë e saj tematike, shprehjen e pasur gjuhësore, si dhe ironinë e groteskut. Duke qenë poet me prirje moderne a postmoderne, Azem Shkreli është kujdesur që gjithnjë të jetë në rrjedhën e kohës me artin e tij letrar e në veçanti me atë poetik.
Në fillim të viteve ’90 (konkretisht më 1990-n), poeti shfaqet para lexuesit me librin e tij poetik “Nata e papagajve”, vepër kjo që shënon një kthesë të madhe (në kontekstin e vlerës) jo vetëm në opusin krijues të tij të publikuar deri në atë kohë, por edhe në poezinë shqipe përgjithësisht.
Te kjo përmbledhje vihet re përpjekja e autorit për të bërë çlirimin mes subjektit lirik dhe botës kolektive, duke i dhënë poezisë së tij ngjyrime intime, mirëpo që lidhen me kolektivitetin e që kanë për qëllim të vizatojnë ndjesitë e poetit karshi një bote të egër e të trazuar:

Pritet të ndodhin ngjarje të ziret hëna
Çakajt t’i trembim me lodra e këmbana
 
( … )
 
Vëllai vëllait t’ia shesë paj gjinjtë e sëmës
Në çdo Luftë Kosove të fitojnë vetëm lulëkuqet
Këtu vargut m’i ra një gur e kërrokën korbat

Nëpërmjet këtyre vargjeve, poeti ka vizatuar gjendjen e rëndë nëpër të cilën po kalonte populli i Kosovës në fillim të viteve ’90, për t’u errësuar akoma më shumë më 1999-n, sikurse edhe e hetonte ai intuitivisht.  Ky diskurs poetik i Azem Shkrelit, jo më pak ironizon politikën utopiste paqësore të kohës, e cila predikonte rrugën e “urtësisë” për tejkalimin e situatave të rënda, që rëndonin çdo ditë e më shumë mbi supet e njeriut tonë.
Përmes vargut, Çakajt t’i trembim me lodra e kambana, më bukur se asnjëherë tjetër, poeti përqesh dhe e vë në lojë këtë mendësi të kohës, e cila nuk kishte edhe të vetmin opsion objektivisht të realizueshëm për tejkalimin e kësaj gjendjeje apatie në të cilën ishte vënë po ky njeri. Ndërkaq, kulmin e qëndrimit të tij kritik karshi gjendjes së rëndë, e cila mbretëronte në këtë kohë, poeti e ka shprehur në vargjet e fundit të kësaj poezie, ku ka shfaqur si një lloj dyshimi në unitetin e kombit përballë furtunave, që përgatiste koha.
Në poezinë “Shënim për ata”, poeti ironizon demagogjinë e sistemeve totalitare të kohës, të cilat djallëzisht i thurin elozhe proletariatit dhe në të njëjtën kohë i pinë gjinë gjakun /bëjnë të nëntëdhjetenëntat:

Hanë e pinë e flenë me klasën
Si me gruan
 
Lakuriq e çveshin të bukurën
Proletaren
 
I pinë gjinë gjakun bëjnë
Të nëntëdhjetenëntat
 
Mrekullive të tyre skuqet
Vlladimir Iliçi
 
Dhe ata letrat na i shkruajnë
Me të kuqën
 
Kuq ata, kuq ne, kuq
Komunizmi

Përballë këtyre “mrekullive” dhe veprave “madhështore” e shumë të “dobishme” për masën që bënte sistemi monist dhe kasta politike e kohës, e cila ishte e gatshme të rrënonte çdo gjë në emër të një ideologjie utopike, “skuqej” edhe revolucionari dhe themeluesi i saj, Vladimir Iliç Lenini.
Azem Shkreli, sikurse me të drejtë është thënë, është nga ata poetë, tek i cili nuk mund të bëhet në mënyrë të prerë diferencimi ndërmjet llojeve të lirikës dhe për receptuesin e vargut të tij uni lirik apo poetik jo rrallë shkakton edhe telashe në të kuptuarit drejt të “çështjes”, ngase, siç do të shprehej studiuesja gjermane Kate Hamburger, gati një shekull më parë: ”Nuk ka asnjë kriter ekzakt, as logjik, as estetik, që do të mund të na sqaronte nëse mundemi ta identifikojmë subjektin rrëfyes, folësin e poezisë me vetë poetin”.
Megjithatë, poetit ynë sado që ka ecur tehut të shpatës kur ka thurur vargje, që i përshkon ritmi dinamik, diskursi ironik dhe figura letrare, nuk ka rrëshqitur asnjëherë në hermetizëm, siç jo rrallë mund të ngjajë te një numër i konsiderueshëm krijuesish.
Poeti Azem Shkreli është ithtar i fjalës së frymëzuar, ai i jep dimension universal fjalës së tij poetike edhe kur vizaton peizazhe, edhe kur në artin poetik shkrin unin e tij, por edhe kur komunikon direkt me “natyrën” dhe njerëzit që e rrethojnë.
Arti poetik i këtij krijuesi, siç e vë në pah edhe studiuesi A. Vinca: “Është serioz dhe autokton, edhe kur krijon vargje me motiv nga e kaluara jonë, edhe kur rreket pas temave intime a personale, edhe kur denoncon njerëz, kohë e vizione, ngase sipas të njëjtit, poeti është i vetëdijshëm se universalja në art dhe letërsi nuk mund të arrihet pa lokalen dhe nacionalen”.

Vargje që shprehin mllefin ndaj deformimeve të kohës

Azem Shkreli është poet i meditimit të thellë, poet i reflekseve intelektuale, i cili, sikurse edhe shumica e krijuesve tanë, nuk guxoi të rrijë indiferent karshi situatës së krijuar pas vitit ‘81 e në veçanti në vitet ’90 në Kosovë, ku shenjat e identitet shqiptar të Kosovës ishin vënë në pikëpyetje.
Lirika e Azem Shkrelit është moderne në substancën e saj, ngase autori nuk vuan nga euforia nacionaliste, sikurse mund të ketë ngjarë te një numër jo i vogël i krijuesve të tjerë, të cilët krijuan në këtë kohë. Ai, në radhë të parë, denoncon veset e njeriut tonë, demagogjinë dhe besëtytnitë e tij.
Në kohën kur vendit i nevojitej më shumë se kurrë uniteti, poeti ironizon karshi qëndrimit gati-gati indiferent të një grupi të caktuar njerëzish, të cilët luajnë rolin e krimbave dhe luten për mot të lëmashkët:

Në kënaqësi të zeza, gëzohen zi, cimbojnë me të zezë,
Marshim i jargët i tyre zvarret tryezave, shikimeve
Bien në dy gjunjë, lutën të marrë mot i lëmashkët
Hipin shoq më shoq dhe shpallin kremten e krymbave…

Në vargjet e sipërcituara, të cilat gjenden poshtë poezisë me titull “Koha e krimbave”, ironia merr karakter të hidhur, sulmues dhe shpreh urrejtje të thellë, e kësisoj kalon në sarkazëm.
Azem Shkreli, talentin e tij krijues e vuri në shërbim të vendit të tij dhe për asnjë çast nuk do të mund të pajtohej me hartat që kishte vizatuar Evropa në dëm të tokave shqiptare. Autori, nëpërmjet një ironie të sofistikuar, vë në pah djallëzitë dhe të palarat e ‘zonjës së rëndë’, siç edhe e quan ai Evropën në një rast:

Zonja Evropë, e cila në treg të madh për së gjalli
Nxjerr gjymtyrë popujsh dhe harta e historia

Këto vargje shfaqin ndrojtjen e poetit karshi veprimeve ogurzeza të Evropës, e cila kishte dëmtuar interesat e shqiptarëve në konferenca të ndryshme, dhe poeti do të shpërthejë:

Sa luftëra, sa kufij, sa popuj të ha mangalli
Zonja Evropë, e rënda. Dhe zonja Evropë, e mira

Epitetet që i jep autori Evropës, si zonjë e rëndë dhe zonjë e mirë, flasin qartë për subjektin lirik, që me artin e tij letrar lufton dhe shpreh mllefin përballë padrejtësive që i kishte bërë Evropa kombit shqiptar gjatë historisë.
Ndërkaq, në poezinë “Ballkanasit”, poeti ironizon mendësinë e popujve të Ballkanit, të cilët, secili në mënyrën e vet, synon Olimpin, duke “përvetësuar” kështu historinë dhe “lavdinë” e stërgjyshërve të tyre:

Secili Olimpin
Më të lartin, Itakën më të bukurën
 
Mbi rrathë të Arkimedit
Troku i kuajve të tyre të Trojës
 
Turren prapthi kohëve
Mesjetëve, vdesin në Kosovë
 
Kthehen fitimtarë
Me kokën e tyre në shtizë

Vargjet: Turren prapthi kohëve/ Mesjetëve, vdesin në Kosovë, flasin për Betejën e njohur të Kosovës (1389), ku Aleanca ballkanike kishte pësuar disfatë të thellë nga Perandoria Osmane.
Ani pse popujt e Ballkanit ishin thyer keq në këtë Betejë, ata nuk hezitojnë t’i thurin himn patriotizmit që u dëshmua aty: kthehen fitimtarë / me kokën e tyre në shtizë (ironi deri në sarkazëm), dhe përmes këtyre vargjeve, poeti përqesh këtë demagogji të këtyre popujve, e cila më shumë bëhet për ta “dëshmuar” autoktoninë e tyre sesa për ta idealizuar lavdinë e heronjve që flijohen në këtë Betejë.
Sado që diskursi poetik i Azem Shkrelit jo rrallë është ironizues dhe shpreh revoltë karshi një çështjeje të caktuar, poeti sikur bën kursimin e fjalëve denigruese dhe të papeshuara mirë, andaj siç edhe shprehet kolegu i tij, poeti Ali Podrimja: “Azem Shkreli njihet si fanatik i vargut, i latimit të tij, i ritmit, i muzikalitetit, i ironisë që shpesh na shfaqet në sarkazëm. Me pak mundohet të thotë shumë. Kjo është veti e krijuesve të mëdhenj, të cilët dinë pse shkruhet dhe artin e kuptojnë punë mjeshtërore. Nuk mund të pajtohej se teksti është kryer, nëse fjalës e figurës nuk ia ka gjetur vendin e vet. Nga fanatikë të tillë lind dhe madhështorja, që vazhdimisht i kthehesh”.
Muza poetike e këtij autori, gjatë rrugëtimit të saj ka sjellë aspekte nga jeta e popullit tonë, pa përjashtuar shfaqje nga jeta e përditshme, kohë e subjekte reale, imazhe nga vendlindja, e miklime nga jeta intime, të cilat ai i bën ekspresione letrare e artistike.
Në poezinë “Idhuj të rrejshëm”, poeti nuk kursen ta qesëndisë as edhe vetveten e tij, dhe më një diskurs poetik sa ironik aq edhe sarkastik, mëton t’i bëjë tokësore shpresat e idealet e rreme që kishte ruajtur si relikte në mendjen e tij:

Ndaj, idhuj t’rrejshëm, zbritni nga koka ime
Mbi t’cilën sa kohë ju mbajta si profetën,
Më leni t’pëlcas prej gazit e prej dhimbe,
Ta bëj timen unë – e djalli t’vetën.

Pra, përmes kësaj ndjeshmërie poetike, subjekti lirik sikur kërkon të zbres nga ky Olimp i rremë në të cilin kishte hipur si rezultat i një hipnoze të momentit.
Se vargu poetik i Azem Shkrelit shpreh revoltë karshi deformimeve të kohës na e bën më se të qartë edhe qëndrimi krejt përjashtues i poetit karshi atyre që janë të gatshëm t’i shesin shpirtin djallit dhe bëhen kasnec të së keqes dhe injorancës për ca privilegje krejtësisht të papërfillshme:

 
Ju falem që rrini zgjuar që
Ditën e natën ruani nga unë
Gratë e veja qentë qeveritë
 
Ju falem ore ju falem

Krijimtaria letrare e Azem Shkrelit, në veçanti poezia e tij, është e mbrujtur me sharmin e një krijuesi të talentuar, i cili di të luaj mjaft bukur me figurën letrare, me idetë, me motivet.
Ky autor me artin e tij poetik na ka dhënë kurdoherë tablo të gjalla e të plota të një kohe e rrethane konkrete, duke ironizuar situata, fenomene e mentalitete arkaike.
Poezia e tij është edhe dëshmi e një kohe para së gjithash, dhe ky art që plasoi pena e këtij krijuesi merr përmasat e vlerës universale ani pse në qendër të saj është nacionalja, ngase siç edhe do të shprehej poeti në një rast: “para vetës dhe para të tjerëve nuk do të jemi interesant si francezë, si anglezë ose si gruzianë, por vetëm si këta që jemi”.
Me pak fjalë, ky është liriku modern i shqipes, poeti i Bjeshkëve të Nemuna, vepra letrare e të cilit, sipas perceptimit tonë, mbetet e hapur dhe çdo rikthim në të do të lerë mundësi për interpretime të reja, ngase në këtë punim është thithur shumë pak nga nektari që përmban arti që dha pena e këtij krijuesi.