fbpx Press "Enter" to skip to content

Arbër AHMETAJ: Reflektim mbi romanin “Teqeja e shterpave”, të autorit Balil Gjini

Me këtë tekst, Balil Gjini ka arritur të shkruajë një roman sarkastik, onirik e mistik njëherësh. Të vësh në lojë me dashamirësi veset dhe dobësitë njerëzore në jetën e përditshme, përbën në vetvete një akt qytetar, por kur e bën këtë gjë nëpërmjet artit të të shkruarit, ke bërë një vepër letrare. Balil Gjini sjell në libër banorët e një lugine të trilluar, me emrin Lënxatë. Duke lexuar lënxatasit dhe bëmat e tyre, na bëhet shpesh të mendojmë se jemi ne vetë personazhet e s’po lexojmë një tekst letrar. Na pëlqen ironia dhe sarkazma, pasi është për lënxatasit e librit, por na bën të reflektojmë si lënxatas të përditshmërisë sonë.
Dervish Kajtazi, personazh i romanit, është i dehur që në rreshtat e parë të tekstit. Dehje e vegime, ëndrra e shpjegime ëndrrash, realitete të përmbysura e përshkëndritëse si në ethe përshkruhen në roman. Ja, sepse shpesh nuk është e lehtë, pavarësisht magjisë së shkrimit, të marrësh vesh nëse jemi në një epokë të mbyllur, të mykur apo në këtë tjetrën, me gazetarë e kryeredaktorë, që për nga hermetizmi dhe mykja ia kalon së parës. Por, po aq edhe nga erotizmi. Ky roman ka faqe të mrekullueshme erotizmi, aty-këtu, si pa t’keq, edhe seksualizmi, por të përshkruara me elegancën dhe përkujdesjen e një shkrimtari që ia di hilet fjalës. Meqë jemi te fjala: rrallë më ka ndodhur të lexoj një roman në gjuhën shqipe, ku kam gjetur dhjetëra e dhjetëra fjalë, që unë s’i kisha parë kurrë më parë në tekstet letrare shqipe! Nganjëherë kisha qejf të merrja fjalorët pranë. E lashë, se merren me mend. Por, i shënova për të mësuar saktësisht se çfarë kuptimi kanë. Jo thjesht si shkak i dehjes, por edhe si rrjedhim i jetës që bëjnë lënxatasit, aq të zënë me mite e legjenda, autori ka përdorur shpesh kalimin onirik-ëndërror nga një formë rrëfimi tek tjetra, nga një kohë ngjarjesh në një kohë reflektimi mbi to, saqë lexuesit pa këso kodesh, ata të mësuarit me lot e ofshama e me puthje te stacioni i nisjes së urbanëve, me msn, sms e whatsapp, do të bënin mirë të blinin ndonjë libër tjetër. Ky roman ka misticizëm, ka shpjegime halucinante ëndrrash e dhimbjesh trupore, apo lëngështimesh brendatrupore, e i afrohet më shumë letërsisë së përroit psiqik apo misticizmit persian, jo si prirje e autorit, por për shkak të subjektit dhe lidhjes së tij me besimin e dervishëve. Është edhe libër magjish, plot edhe me formula gazmore të zhbërjes së tyre, përmes një alkimizmi fort të këndshëm. Kjo është përmasa universale e shkrimit, por jemi në Shqipëri, në Lënxatë, pikërisht në lëngatën tonë, prej së cilës s’na shpëtojnë as ideologjitë, as mistika fetare. Letërsia e mirë, ndoshta. Balil Gjini, me “Teqeja e shterpave”, ka nënshkruar një roman të veçantë dhe shumë tërheqës. Të lexova duke të falënderuar nga zemra Balil, për këtë tekst të bukur. Edhe Ketin! Miken tonë të përbashkët, që ma dha romanin.