fbpx Press "Enter" to skip to content

Preng MACA: Cikël poetik

Letra për dashurinë

Ti je krejt prej mishi tundues
e prej poezie,
trokitja në derë,
prej nga hyhet në zemër.
E njoh muzikën e gishtit tënd,
je një pushtuese,
më heq prangat e ndrojtjes,
më merr përdore me dashuri,
me festue lirinë pa kufi.
Ti je shkak kënge…
e një kënge,
që kurrë nuk mërzitem me e ndigjue,
e që më huton përditë,
me tingujt magjikë,
më ban me kuptue më qartë,
çfarë ndodh përjetësisht,
në këtë jetë të përkohshme,
njerëzore.
Jam pena në dorën tënde,
ndërsa dashuria asht fleta e bardhë,
ku dallohet qartë,
diagrama e një zemre,
shkak i vërtetë
i krijimit të stuhisë,
një gjendjeje,
prej së cilës merr jeta vlerë dhe kuptim.

Udhëtim

Ka kohë ndodhem në udhë;
asnjëherë nuk di të ndalem,
eci në pluhur, shi dhe diell.
Këpucët më janë grisur,
xhaketa është copëtuar,
ndërsa këmisha e pa arnuar.
Pak gjëra të reja e të hijshme kanë ngelur,
pak gjë mund të çmoni e të shihni…

Të gjitha vërtet u grisën,
por e kam shpëtuar shpirtin!

Distancë

Udha asht e ngushtë
e na gjindemi ngusht
me u largue nga njani-tjetri,
n’sa ecim sup më sup.

Ah

Me dasht shumë
don me thanë
me vuejt shumë!