fbpx Press "Enter" to skip to content

Arbër AHMETAJ: Reflektim mbi romanin “E dashur A.” të Ylli Demnerit

“Më kujtohet” se e kam lexuar librin me këtë titull. Më kujtohet se, shumë prej atyre që i kujtoheshin Ylli Demnerit, më kujtoheshin edhe mua; aq prajshëm e me qartësi sa më dukej sikur ndanim të njëjtin kujtim, sikur ai e kishte parë me një sy e unë me tjetrin. Kjo ishte e rrallë për mua si lexues. Kishte gjetur fjalët e duhura, tonin e duhur të rrëfimit, ngjyrimin e butë emocional të përçimit të tyre! Libri i tij u botua e ribotua.
Së fundmi më ra në dorë “E dashur A.”. E lexova me një frymë. Se kështu ndodh me librat e bukur: i lexon me një frymë. Siç ndodh me shumë të tjerë që i nis me një frymë dhe i braktis sapo ta marrin frymën.
“E dashur A.” është libër i një udhëtimi nostalgjik në disa përmasa. Risjell pas shumë vitesh kujtimin e një dashurie të hershme, e cila, për fatin e rrëfyesit dhe të dashurës A., ka ruajtur nën hi jo veç zjarrin e një kohe tjetër, por gjithë sharmin e një kujtimi ngazëllyes, burrë e grua formues. Në letrat e shkëmbyera, pasi rrëfyesi kujdeset të na kujtojë jo veç letrat e tij, por edhe se çfarë i ka shkruar e dashura, gjenden fjalë e shpjegime ndjesish, kujtime përndezjesh e përkëdhelish, të cilat, si edhe në librin e parë të këtij autori, na vijnë si të ishin përjetimet tona. I ka filmuar Ylli Demneri ato çaste magjike të fluturimit të dy të dashuruarve drejt njëri-tjetrit, puthjet e tyre, puthitjet e trupave e të përvëlimit?
Një tjetër udhëtim që na ofrohet në këtë libër është ai i çasteve të ëmbla të pushimeve. Pak kohë rrimë me vetveten. Shëtitja jonë në thellësi të vetvetes ndalet shpejt. Fillimi i letrës së pestë është domethënës; aty autori i tregon të dashurës se cila kohë i mungon: “Më ka munguar koha, imja, jotja, jona: ajo kohë pa fund, jashtë kohe, koha e të dëgjuarit, perceptuarit, koha e heshtjes, koha e të komunikuarit, jetuarit, koha e të qenit.”. Këtu gjendet sekreti. Te koha. Apo aty ngjizet drama? Thua se koha është vend. Në fund të çdo viti veç pushimet na kujtohen. Ka libra në prozë që përshkruajnë mbi treqind ditët e punës së personazheve. Janë romane të mrekullueshme, por shpesh të ankthshëm, të errët. Autori i shkruan të dashurës për pushimet e tij në brigje e vende të tjera, sepse atëherë ka kohë të mendojë bukur e poetikisht për të.
Në të njëjtën kohë autori na nis edhe në përmasën tjetër të udhëtimit të tij nostalgjik, në botën e librave, të artit. E këtu s’ka veç çaste të ëmbla pushimesh e shëtitjesh buzë ujërash, por ka edhe reflektime të thella, pikëpyetje se si e shohim botën, se si sillemi ndaj tjetrit, ka ujëra më të dallgëzuara, shpesh edhe të rrezikshme. Se kështu është jeta, s’ka vetëm çaste shndritëse të kondensimit të shpirtit poetik si tek poezia haiku, te pikturat e Pikasos apo rolet e Ingrid Bergman, por ka edhe Stalin e Shqipëri të gjunjëzuar nga mungesa e lirisë, ka filozofi e art, që na e bëjnë jetën të mundshme në tokë, do të kishte thënë Niçe.

Unë e lexoj me shumë kënaqësi këtë autor.

Komento i pari

Lini një Përgjigje