fbpx Press "Enter" to skip to content

Arbër AHMETAJ: Një lot për ty, kapitenia ime

Po, kapitenia ime,

Jam batalioni yt,
me këpucët e lotëve të lidhura
nyje në fyt!
Nisem për luftë,
shtrëngoj rripat e ofshamave
e s’ka plumb që m’ndal.

Asnjë statujë
s’ngrihet në shpirtin tim
më lart se qeshja jote.
Ngadhënjimi i saj
e hijeshon shpirtin e ushtarit,
të bindjes!

Po, kapitenia ime,

Stërvitjet i bëj si luftë,
që betejën ta fitosh ti.
Ty shkëlqimi t’ka hije
e hija ime zhduket prej diellit
Tënd!

Këto janë lotët e fundit,
që derdh për ty, kapitenia ime!
Batalioni yt elitë rri i gatshëm,
me këpucët e lotëve të lidhura, nyje në fyt.
Do fitosh ti!
Unë do stërvitem për të tjera fitore të tuat!

Amin!