Press "Enter" to skip to content

Anila VARFI: Cikël poetik

S’më paskan plakur pritjet

Mbi rrasë t’gurit ulur jam,
sytë hardhoj n’barkun e kohës.
Ermimi i dheut trishtimin më ndez.
Sysh, rrëke lotësh farmak të kripur.
Lyp prej kujtimeve frekuenca,
që më çojnë t’bredh lirisht çasteve në gaz e hare…
Sa qenkam plakur pritjesh…!
Durimsosur qëroj, si orizin n’tepsi,
bëzhdilet që më verbojnë ditën, çastin, kujtimet…
Shkarkoj prej vetes peshën e orëve kur miqtë s’ishin më miq.
Shkarkoj prej vetes pezmin që m’derdhën damarësh,
Brutët e kohës së përgërë… (ups, moderne)!
Heq prej vetes kokëçarjen,
që si virus m’i sëmuri ditët.
Fshij me soj e sorollop ata që ma nxinë diellin
dhe helmuan flladin e t’bukurave ditë!
Prej sodit e lehtë pupul jam…

 

Tezga e vjetërsinave

Lypa sot n’tezga t’vjetërsinave
me shit ditët e kalbuna n’mërzi e maraz…
Kurrfarë mendimi s’e kam,
pse i vlejnë shitësit kësisoj sendesh,
që veç marri reflektojnë…
Ani, çka po m’duhet mu?
Veç prej vedit du me i shkul e hardhu n’shitore.
Se nuk më plas ma për to!
E ti po thu,
pse nuk po i qet në plehra,
për çka po të vlejnë?!
Hëm… ku di un?!
Mbase po du me i ndry në sunduk të vjeturinave,
ndoshta një ditë do të du me i kreh në kohë ndjenjat e mendimet
e atyne ditëve të pajagosura prej shumëçkaje,
që nuk dita me u diftu venin.
Prej sodit nuk po m’lypet kurrëgja tjetër,
veç ajër, diell, ujë
diku në mes të kurrkundit!

Eter dashnie

M’angështon frymën dashnia për ty,
sagë e mbytur n’përpjekje me gjet hurba gëzimi…
T’dua n’rraskapitje, aq sa mendimi për ty m’çmend!

Mendimet kreh, thinjur prej dashnis jam…
shkretëtirash, ku dielli pjek e heshtja të shurdhon.
Veten mirazh e shoh,
t’nginjem n’eter dashnie.

 

Shi-acar

Shtjellë inatçore fugon në erë,
shi-acar, litar.
Në asht, lagështia e fjalëve idhnake,
që m’i derdhe si ky shi.
Një lumë-fjalë kisha për të thënë…
Hiç asgjë!
Gjithçka mbeti peng ndër dhëmbë!
Shi idhnak që nuk sos,
Kërcet xhamave kahmos!
Nesër fjalët-lumë do të t’i them!
Jo sot, jo, se më dhemb!
Shi i ftohtë
Acar!

Tash sa kohë dëgjoj pëshpërimat

Mëngjeseve, pa çelur agu,
si pulëbardha,
brigjeve përgjoj dallgën.
Pres syrin e kaltër të ngrihet ëndrrash,
të më falë me një shikim një copëz qiell…

Pres si pulëbardhat,
pëshpëritjen e dallgëve,
kur bregun përkëdhelin
baticash e zbaticash…

S’di pse mëngjeseve,
fjalët më vijnë si pëshpërima
e gjithherë afrohem më pranë
t’i dëgjoj më mirë…

Eh!
Tash sa kohë rri e përgjoj mëngjeseve.
Të avitem shumë e më shumë.
Të dëgjoj pëshpërimat!