Press "Enter" to skip to content

Arjola ZADRIMA: Cikël poetik

Magdalena

S’jam grue sot.
ma shifni bluzën,
format e saj,
nën të kam gjoksin,
çoj peshë stuhi,
thyej mendjet e verbueme.
Fshij jargët
ky gjoksi i shenjtë mëkon jetë,
a mundesh me iu gjunjëzue?
Para ktyne syve që dinë me të dëftue botën,
je i vogël,
i pambrojtun,
unë s’i përdori duert,
shikimin.
Ai të përbuzë,
të don,
të rrokë,
të ngjesh edhe me tokën.
Krejt forca jote asht ai çast që m’ke zgjue bishën.
Drueje,
jam përbindëshi që ti s’e njeh.
Ti, krijesë e ashpër, e pabesë,
je aq i vogël sa aty ku lindesh,
zhytesh
zhgrryhesh
shtyhesh
zgjahesh
aty qan,
kullon
pikon e zvoglohesh.
Të sundoj,
edhe kur para syve të mi
zhburrnohesh,
njisoj sikur atë ditë që u linde i paburrë.
Unë s’jam grue sot,
por prej asaj dite, kur nën kambë çilen lulëkuqe,
qeshë grue edhe pse e virgjën.
Sot jam Magdalena!

 

Bas

Kur dielli lind,
qepallat shkundin akujt e natës.
Ende strukem nën velenxën e nji andrre.
E duert tueja përkundin gjumin,
që imagjinoj të qetë.
Zani bas më flet për nji dritë,
dashninë
e një jete ku ende s’jam…

Mikut

Ditë të vjetra,
rroba të vjetra,
trup i vjetër.
Për me u shkye tue qeshë
më duhet nji hanë e plotë
nji trup i ri,
e nji mik i hershëm.
Asht e lehtë me vdekë sot.

(Shkëputur nga libri “Carpe Diem”, me poezi nga Arjola Zadrima dhe fotografi nga Iden Temali.)