Press "Enter" to skip to content

Nelly SACHS: Gjithmonë

Gjithmonë
atje ku fëmijë vdesin
më të brishtat krijesa ngelen pa atdhe.
mantel i dhimbjes përflakur mbrëmjes
brenda tij i errti shpirt i mëllenjës
natën padit –
puhiza mbi barin që dridhet frymon
rrënojat e dritës së saj fikur
veç vdekje mbjellin

Gjithmonë
atje ku fëmijët vdesin
digjen vizionet e përflakura të natës,
të fshehtave të saj vetmitare –
e kush ka dëgjuar për shenjat
që vdekjen dërgojnë:
erëmim’ i pemës së jetës,
britmë e gjelit që shkurton ditën
ora magjike e vjeshtës gri
mallkuar brenda në dhoma fëmijësh
shpëlarja e ujërave në brigjet e territ gjëmimtar,
i zvarguri gjumë i kohës.

Gjithmonë
atje ku fëmijët vdesin
në shtëpi kukullash
mbulohen pasqyrat me një hukamë
nuk shihet më vallëzimi i gishtërinjve
të liliputëve veshur në mëndafshe prej gjaku fëmijësh;
vallja e heshtjes fiksohet në dylbi
si një botë në largësinë e hënës

Gjithmonë
atje ku fëmijët vdesin
mbeten dhe guri dhe ylli
dhe të gjitha ëndrrat pa atdhe.

Përktheu nga origjinali: Anna Kove