Press "Enter" to skip to content

Anna KOVE: Gloria in excelsis deo

(X3)
Me dhembin këmbët shumë; e ndiej dhimbjen e tyre edhe natën, në shtrat, kur rrotullohem nga një krah në tjetrin. I gjithë trupi më dhemb. Por kjo është dhimbje disi e dashur. E prisja prej kohësh, madje kisha kujtuar se do të vdisja pa e provuar edhe një herë. Kisha kujtuar edhe se do të vdisja fare. Por nuk vdiqa.
– E kupton dot se ç’po të them, Julia? Ai u kthye. M’u shfaq vetë para sysh… S’e kisha parë prej kohësh. Askund. Askurrë. Asgjë s’kisha dëgjuar për të gjithë këto kohë. Në kohën e internetit, kush do ta besonte? Në profilin e tij virtual kishte ngelur i pandryshuar portreti i një ariu të madh Panda-Bao Bao. Nga dita që nuk u pamë më, sa herë e gjeja veten të këqyrja foton dhe të përngjasoja tiparet e tij me ato të Bao Baos. Sytë ashtu si të trishtuar e me vështrimin përdhe; gëzofin e butë të ariut, me lëkurën e tij të butë dhe ndjellëse. Ishin e papërballueshme ta ndaje vetminë me portretin e mbetur të një ariu, dhe me askënd tjetër… Atë mëngjes, kur m’u shfaq me një ari të vogël Panda, as nuk e mendova gjatë se ç‘mund ta lidhte me atë specie në zhdukje, që nuk mund të jetonte dot e lirë, veçse e mbyllur në një hapësirë të kufizuar dhe të kontrolluar. “Ç’është ky” – e pyeta? “Një lodër e butë për ty”, – tha dhe ma lëshoi në dorë. Unë u drodha vërtet nga butësia e gëzofit, dhe nga maja e gishtërinjve shqisat e prekjes aktivizuan në të gjithë muskujt një lloj eksitimi, që më bëri të shtrëngohem. Nga lodra prej pelushi? Jooo. E dija se ç’më priste, sa i pashë sytë e lëngëzuar, që nuk ia fshihnin dëshirën. “Bëhu gati se do të luajmë fort”, – më tha. Ai nuk pushoi fare. Unë nuk u ngopa fare; e kotë të them tani se atë ditë-natë besoja se fuqia dhe energjia na vinte nga ndonjë gjë e mbinatyrshme. Pa ngrënë thuajse fare, duke u ushqyer me ajrin e frymëve, me ofshamat, lëngjet e trupave dhe me ndjesinë e një parandjenje të çuditshme, se do të ishte hera e fundit. Pikë-pikë pikonte djersa nga majat e flokëve, kur isha sipër tij; pikë-pikë pikonte djersa e tij mbi sytë e mi, që lotonin në ekstazën e orgazmës, kur ishte sipër meje. Fjeta gjatë gjithë ditës e më pas edhe gjithë natën. Isha si në gjumin e dehjes nga narkoza. Ngrihesha e shtrihesha sërish. Mezi i hidhja këmbët, dhe ndieja dhimbje aty ku kofshët bashkoheshin me zonën intime. Kur lëvizja nëpër shtrat më dukej se ajo gjëja e tij e fortë më shtypte fort dhe muskujt e barkut më dhembnin sërish nga tkurrja, këtë herë imagjinare, sikur ai ishte sërish aty brenda. Zgjati nja dy ditë kjo gjendje kështu mes jermit dhe dhimbjeve. Ende nuk po ia ndieja mungesën. As nuk mundja dhe as nuk doja… S’di sa kohë kaloi në dalldinë e pas-përjetimeve. Dikur fillova ta kërkoj. Trupi filloi të dridhej sërish nën shijen e kujtimeve të asaj ditë-nate dhe iu dorëzua krejtësisht urisë së zgjuar; tani që çdo gjurmë e atyre orëve kishte avulluar, ndieja sërish etje. Nata ishte makth. Ai nuk po dukej më. Nuk ndjehesha mirë. Isha një grua e dëshpëruar, që shtrihet në shtrat lakuriq pranë qimeve artificiale të një lodre dhe flet me një Bao Bao pelushi. Putra e tij e zezë nuk ka ç’t’i bëjë dalldisë së fundbarkut. Pak pa u çmendur, mes drojës dhe padurimit të atyre çasteve, vendosa të pyes në polici. Pas një sporteli me hekura të ndryshkur, një polic i dhjamur po përtypej me zhurmë duke përplasur buzët e lyrosura. “Do bëni kallëzim?” “Dua të raportoj një zhdukje personi”, – i them. Ai vazhdoi të mbllaçitej, ia pashë dhëmbët e zinj, e mbi ta mishrat e mbushur me mbetje ushqimi. Hapi një bllok ku dukeshin njolla yndyre, mori një stilolaps me bisht të kafshuar dhe shkroi datën; kërkoi të dijë emrin tim, si në kartën e identitetit, tha, dhe pse nuk ma kërkoi fare atë. Pyeti për emrin e personit, pastaj ngriti sytë për të parën herë, më pa, dhe pyeti: “Sa kohë ka që është zhdukur?”. “Po ja, shumë kohë, – thashë unë, – shumë.” “Gruaja e tij je”, – më pyeti polici pa m’i ndarë sytë sërish. Unë s’fola. “Çfarë e keni personin?” “Jam e dashura. Domethënë, isha e dashura.” Në sytë e tij vezulloi një dritë ligësie. Më pyeti se pse po dëshmoja kaq vonë? S’kisha asnjë përgjigje. “Mos ka ndonjë arsye, që e keni mbajtur të fshehtë kaq kohë?” Në fakt asnjë arsye nuk kisha. Por edhe asnjë besim te policia nuk kisha. Çfarë s’dëgjohej nga policët aso kohësh. Ai filloi të më bëjë pyetje provokuese, ndërsa unë të luaj rolin e të çmendurës, që nga çasti i një pyetjeje krejtësisht perverse: “Kur jeni palluar për herë të fundit?”. U stepa. Sytë e tij ishin ngulmues. “Po ja, – i thashë, – ishte fillim pranvere.” “Ishte i dhunshëm në krevat?” – guxoi sërish. Nga frika se mos më pyeste për arsyet e heshtjes sime të gjatë për moskallëzim dhe më gjykonin për fajtore, i tregova për herën tonë të fundit. Nuk besoj se romantizmi im do t’i bënte përshtypje, ndaj duke u munduar t’i shmangia detajet e përjetimeve shpirtërore, i tregova ca detaje initime se ç’ndiente trupi im, përmes një lloj solidariteti të pështirë me vështrimin e tij, vetëm e vetëm që të dilja sa më shpejt prej aty. O Zot, po i rrëfehesha policit pervers, njësoj si Bao Baos lodër. Ai dihati, bëri shenjë me dorë që të ngrihesha, atëherë u përmenda dhe u ngrita të shkoj. “Më lër një numër telefoni, – tha. – Do të të njoftoj unë.” Dhe sytë i ndritën nga djallëzia e kushedi ç’mendimi. Nuk do të më kërkonte kurrë për të më njoftuar, ndaj numrin e telefonit dhe adresën ia dhashë gabim, me vetëdije. E me që nuk ma kishte kërkuar kartën e identitetin, firmosa një letër bakalli me shkrim tërë gabime, poshtë së cilës nuk gjendej emri im i vërtetë.
Nuk më zuri gjumi për net e net të tëra. Dalëngadalë u mundova ta harroj atë ngjarje. Jetoja si e përhënur mes njerëzve dhe vërtitesha pa zënë cak askund, me vetëdijen e tronditur thellë. Dhe pastaj, ndodhi kjo që nisa të të tregoj: ai u kthye, u shfaq para meje pas aq shumë kohësh, si të mos kish ikur kurrë. Burrat gjithmonë gjejnë një arsye për t’u kthyer. Dhe sillen sikur të kishin qenë gjithmonë aty. Sa nuk vdiqa. M’u duk se u shfaq në derë një Bao Bao i vërtetë. Specia e zhdukur ishte ngjallur sërish. Unë duhet të isha vërtet e çmendur. Fillova t’i flas atij, njeriut, siç i flisja dikur ariut. Sytë e xhamtë të ariut tani kishin marrë trajtën e syve të lëngshëm të njeriut, që më dëgjonte dhe heshtte. Nuk fliste asnjë fjalë. Asnjë të vetme. Përveçse nuk fliste, as nuk po më dëgjonte. Fillova të dridhesha nën putrat e tij të zeza; me njërën dorë llastoja veten, dhe me tjetrën po fërkoja gëzofin e ariut-njeri. Instinktet e mia kishin filluar sërishmi ulërimën. Një Panda mashkull nuk është për ta pasur zili në seks, se nuk ta bën shpesh. Kjo ndodh vetëm në fillim të pranverës, kur tërbohet nga hormonet seksuale, testikujt i fryhen tri herë më shumë dhe sperma e rrit shumë përqendrimin. Unë e nuhata dhe dëshira më e madhe që kisha, ishte t’i shterja deri në pikën e fundit sërish lëngjet e tij me buzët e mia të etura. Dhe ashtu bëra. S’fola më fare. Dikur, pas kushedi se e sa kohësh, a kushedi se sa herësh mbi mishin e ndezur të njëri-tjetrit, e pasi rënkimet na u terën, isha e bindur se, pasi e shoi urinë e tij prej ariu, sërish do shkonte, të binte në gjumin e tij prej ariu. Pasi frymëmarrja m’u qetësua, e pyeta: “Ku ke qenë tërë këtë kohë, Bao Bao?”. Më pa me ca sy të frikshëm. Mbase atëherë mendoi se unë nuk isha normale. Po e thërrisja me emër kafshe. Me emrin e ariut që më solli dikur. Nuk po i flisja atij, por kafshës. “Këtu kam qenë, – tha, – këtu.”. Dhe u ngrit të ikte. U ngrita edhe unë pas tij, por, a nga ndjesia se mishin e fortë ma kishte lënë sërish brenda vetes, a nga dhimbja që ndieja ndër të gjithë muskujt, u plandosa sërish mbi shtrat, për ta pritur kushedi dhe sa kohë të tjera ariun bardhë e zi, që nuk paskësh ikur kurrë!

(Shkëputur nga libri “Kambanat e së dielës”)