Press "Enter" to skip to content

Janis Ricos: Erotika (Pjesë)

Kërkoj nëpër skutat e natës –
bërryli yt, gjuri yt,
mjekra jote.
Gurë që rrokullisen.
Zhurmë asfare.
Ku je?

Hyn mali në shtëpi,
ulet mbi gjunjët e mi.
Dita tymos.
Ajri yt përsëri.
Më tej asgjë.

Vijnë net më të gjata.
Bimë mishngrënëse
mbështjellin shtëpinë,
mbështjellin shtratin.
Buzët e tua, ndonëse larg,
më thëthijnë.

Në qendër të vargut
ndodhesh ti.
Fryma jote mbush
gjithë fjalët,
gjithë heshtjen.

Çdo gjest yti
ka përvijuar
mbi tavolinë,
brenda dollapit,
nën jastëk,
një kuti të vogël muzikore,
dëgjoj i vetëm.

Gjithë natën,
emri yt
cicëron brenda gojës sime,
më pi pështymën,
më pi të tërin.
Emri yt.

Nga telefoni
dëgjoj si hedh
një nga një teshat e tua
përtokë.
E fundit
unaza jote.

Po merrje trenin.
Mos u vono – të thosha
Më shpejt, më shpejt.
Dhe thithat e gjinjve
të forcoheshin.

​​Athinë, 25.11.80

Përktheu nga greqishtja: Eleana Zhako

Biografi

Janis Ricos lindi në Monemvasia më 1 maj 1909. Ishte fëmija i katërt dhe më i vogli i një familjeje pronarësh tokash. Që në moshë të vogël nisi të pikturojë, të shkruajë poezi dhe të luajë piano. Ricos, më vonë, vitet e fëmijërisë do t’i përmblidhte me një fjali të vetme: “Nëntë dritare kish në shtëpinë tonë dhe të gjitha hapeshin nga ana e universit”, ndonëse kjo lumturi nuk vazhdoi gjatë, pasi në vitin 1921 nisi një mori fatkeqësish në jetën e tij: familja rrënohet ekonomikisht, nëna dhe vëllai i madh vdesin para kohe, babai, që vuante nga trazime mendore, shtrohet në një spital psikiatrik, ndërsa Ricos kalon tre vjet (1927-1930) në sanatorium për t’u kuruar nga tuberkulozi, sëmundje që e shoqëroi gjithë jetën. Këto ngjarje tragjike do të pasqyrohen pashmangshmërisht në veprat e tij.
Në vitin 1934 botoi librin e parë “Traktori”, i frymëzuar kryesisht nga futurizmi i Majakovskit dhe, një vit më vonë, librin “Piramidat”. Në vitin 1936, te poema e gjatë “Epitafi” shfrytëzon formën e poezisë popullore tradicionale dhe jep, nëpërmjet një gjuhe të thjeshtë, një mesazh prekës vëllazërimi. Muzika e Miki Theodhoraqis, më 1960-n, do ta bëjë këtë poemë ndezësin e revolucionit kulturor në Greqi.
Ndonëse Ricos u rradhit kundër të djathtës fashiste gjatë luftës civile dhe përjetoi ferrin për disa vite në kampe të ndryshme internimi, kjo nuk e pengoi që, edhe pse në kushte tepër të vështira, të vazhdonte të shkruante vepra të rëndësishme, që u përmblodhën në librin “Zgjim”.
Në vitin 1956, Ricosi botoi veprën e madhe të pjekurisë së tij, “Sonatë në dritën e hënës”, për të cilën u vlerësua edhe me Çmimin Kombëtar të Poezisë. Më pas vijojnë përmbledhjet “Kur vjen i huaji”, “Plakat dhe deti”, “Shtëpia e vdekur”, ku nis seria e monologëve të gjatë të frymëzuar nga mitologjia dhe tragjedia antike, “Filokteti”, “Oresti” e shumë e shumë të tjera më pas, për të kulmuar me “Erotika”, që është një himn dashurie në të gjitha dimensionet e saj.
Në vitin 1975, Ricosit i jepet titulli “Doktor honoris causa” i Universitetit të Selanikut, si dhe çmimi “Alfred de Vigny” i Parisit. Kur diskutohej për çmimin “Nobel”, ai do të shprehej se nuk do të mund ta pranonte një çmim të tillë që dy vjet më parë ia kishin dhënë Henri Kissingert. Në 1977, Ricosit i jepet çmimi “Lenin” për paqe.
Vitet tetëdhjetë e kthejnë Ricosin te proza. Nëntë libra përmblidhen nën titullin “Ikona shenjtorësh anonimë”, ku mbizotëron liria e metaforave, alternimi i reales me oniriken, gjuha e guximshme, hapja mbi erotikën etj. Poezitë e librit të tij të fundit “Vonë, shumë vonë nëpër natë” (1987-1989) janë të mbushura me trishtim dhe ndërgjegjësim për humbjet.
Janis Ricos u nda nga jeta më 11 nëntor 1990, në Athinë.

Përgatiti: O.M