Press "Enter" to skip to content

Irena Ngucaj Scirè: Cikël poetik

Nata jonë

Nata jonë
blu e Van Gogut,
orgji puthjesh,
në tavernën e yjeve,
mes trupash të egërsuar
e pa zbutur kënaqësia,
shuhen luhatjet, fërgëllimat,
e për marrëzinë e saj,
nata mbetet me një vesh…

 

Pushtomë

Pushtomë
me duar të sigurta
ijët e përkulura
në dhurim,
kërthizë
mbi kërthizë,
dehur me aromën
e barit të leshtë.
Hyr si rrënjët rrëshqitëse
në tokën e origjinës,
çlirohu
me ngrohtësi njomëse
të përmbaj si lindje,
si guaska brenda,
ofshamën e detit
në shkallmim.
Ti…
Udha e Qumështit
në galaktikën
e syve në errësim…

 

Për ne të dy

Si Pinokut të Kolodit,
le t’i vjedhim jetës
ato pak monedha lumturie,
fshehur rrënjëve
të pemës së çudirave.
Jeta, abetaren e pengesave e grisi
që ne të dy të dashuroheshim…

 

Cifla shpirti

Poezia…
nisje e mendimit
në kryqëzatën e shenjtë
të emocionit,
cifla shpirti,
thyer,
mbi fletën e bardhë,
çjerr dhe në hapësirën
e pashkruar.

21 gram

Thonë që shpirti
rëndon 21 gram.
Nuk e besoja…
Kur puthja e fundit,
më fluturoi nga buzët,
si e pa peshë,
mendova se i mungonte
21 gramshi fatal.