Press "Enter" to skip to content

Dritan KIÇI: Kur më qesh im atë

Mbrëmë ndjeva tim atë
në buzëqeshjen time.
Njësoj siç e ndjej kur
eci me shpinën kërrusur;
në trishtimin që më kap
kur fëmijët më kthejnë fjalë.
Siç e shoh në pasqyrë
kur krihem e rruhem.
Mbrëmë ndjeva babanë
të buzëqeshte
përmes syve të mi.
Siç buzëqeshte kur
kafenë pinim bashkë,
kur për drekë
pinim një gotë raki.
Mbrëmë ndjeva babanë
brenda zemrës
dhe u çmalla.