Press "Enter" to skip to content

Besnik CAMAJ: Tri poezi

Si

shi sigjim
kacavirresha
ujëvarës së qiellit.

Atë ag
ajo
ofshau butshëm.

Për të dytën herë
doli në terrasë.

Vnoi mbathjet mbi tel
e cigaren mbi buzë.

Dhe më thau
tanë jetën
e lume.

 

Pa dashtë

kam hy n’ty
e t’kam marrë n’qafë.

Tash kah fundi,
po sillem si n’treg.

Pa dashtë
m’asht mbushë shpirti
me mospërgjigjet tua.

E di që pa dashtë
kam me dalë
me qese t’lagëta tuj pikë
(nga fresku i atyne që do t’marr).

Po mbas fundit dije,
pa dashtë
fort t’kam dashtë.

 

Në det

u zhyta krejt,
mandej,
ngrita kryet.

Si përgjumshëm,
hapa sytë
e brita.

Pak ujë se vdiqa!