Press "Enter" to skip to content

Sami MILLOSHI: “Krane kafe”

Maqua më ftoi për kafe. Ose më saktë Taqka më ftoi, por Maqua më përcolli ftesën e Taqkës.
Taqkën e kisha ftuar unë më parë, por ai nuk qe bërë i gjallë. Veç më kishte premtuar se një ditë do ta pinim një kafe. I gëzuar për ftesën e Taqkes mora udhën. I hipa trenit dhe vajta te “Krane kafe” në veri të qytetit. Kur zbrita nga treni binte shi litar. Çadër nuk kisha marrë dhe u bëra qull. Por ia vlente, se do takohesha me Taqkën. Kur hyra, Taqka gati nuk më njohu. Edhe unë pothuajse nuk e njoha. Ishte thinjur i tëri. Edhe mjekra i ishte bërë borë e bardhë. Unë e mbaja mend gati pesëdhjetë vjet të shkuara, kur iu qep një mësuese ta fuste në shtrat edhe pse kish veç dy ditë që e njihte.
Taqka më përqafoi me mall. Edhe Maqua po ashtu. Edhe të tjerët me radhë: Vasua, Thimi dhe Nashua.
Këta tre të fundit i shihja për herë të parë, ndonëse jetonin prej njëzet vjetësh në atë qytet. Ishin kurbetlinj, si unë.
Kafet i porositi Vasua.
U pyetëm për familjet. Shumë shkurt. Me sa duket nuk kishim ç’të thoshim…
Pastaj e ngamë muhabetin për atdheun. Për të mund të flisnim shumë. Dhe folëm nja tre orë të mira.
Në fillim e mori fjalën Taqka., i cili na bëri një pyetje të zorshme: “Pse jemi të përçarë?”.
Mua më zuri gafil kjo pyetje dhe nuk dija çfarë të thosha. Se me vete thosha përherë që nuk i kam bërë keq njeriu, nuk jam grindur me kërkënd. Ndonjëherë bëj ndonjë sherr të vogël me gruan, se ajo pjerdh në divan. Dhe qesh. Por unë i them se duhet të shkojë në banjë. Ajo më kthehet se nuk i mjafton koha sa të shkojë atje. E kështu e kemi një sherr të vogël. Por nuk jemi të përçarë. Edhe me komshinjtë shkojmë hutë fare. Përshëndetemi me dore nga xhami i makinës kur shihemi në të rrallë ose kur shkojmë në kishë të dielave.
I pari e mori fjalën Maqua:
– Ne jemi të përçarë se një mijë vjet më parë na ka pushtuar lloj-lloj i huaji. Ata kanë sunduar duke na përçarë.
Taqka tundi kokën si filozof, në shenjë miratimi. Edhe mua m’u duk përgjigje e mençur, sepse e kam qejf historinë, megjithëse kam filluar ta harroj nga pak.
– Lum ti Maqo, që mban mend kaq shumë nga shekujt e kaluar. Unë dje harrova të pija barnat dhe desh më ra të fikët në shitore, – thashë unë.
– Ore edhe unë nuk jam më mirë nga ty. Ja, për shembull, tani duhet të shkoj në banjë, se kjo kafja më nxit urinimin. Një ditë isha lagur në pantallona dhe do ti që pikërisht atë ditë duhej të shkoja te doktori për prostatën…
Taqka ndërhyri me takt:
– Ju lutem, zotërinj, të mos e ulim nivelin e diskutimeve, të mos e vulgarizojmë, për atë zot, se atdheu pret, pret shumë nga ne…
Si tha këto fjalë, Taqkës i ra një nur udhëheqësi. Por ama ra heshtja. Si duket të tjerët po vrisnin mendjen për mendime të thella, si të thuash, akademike. Akullin e theu Vasua:
– Unë them se përçarja na vjen ngaqë i kemi pasur shtëpitë larg njëri-tjetrit, një në një kodër e një në kodrën tjetër. Ne jemi takuar vetëm kur kullosnim delet ose dhitë nëpër shpatet e ahishtave. Apo jo Taqkë, si thua zotrote?
– Fjalë me vend, – tha Taqka. – Ka qenë një trend zakonor, – e mbylli ai.
– Ore Taqkë, se nuk të pyeta: çfarë të tha doktori për prostatën?
Taqka deshi t’i shmangej pyetjes. Por, tek e fundit, atdheu priste edhe pak. Kurse përgjigja e pyetjes së Vasos dukej urgjente.
– Kancer nuk kam, – tha Taqka – por prostata ka probleme…
– Shyqyr që nuk paske kancer! Po si e mori vesh doktori që nuk ke kancer? Aman ma thuaj!
– Veshi një dorezë plastike dhe më futi gishtin nga pas në vrimë. Nuk e desha veten! Kupton ti Vaso, apo jo? Ishte tepër e turpshme. Kurrkush nuk ma kishte bërë këtë gjë më parë në atdhe… Por, le t’i lëmë këto muhabete të vogla. Ku e kishim fjalën?
– Te përçarja, – tha Nashua.
– Po hë pra, çfarë na thua ti Nasho? Si t’ia bëjmë kësaj përçarjes?
– Po ku di unë, a derëzi? Një copë druvar kam qenë në atdhe. Këtu kam punuar me makinën e mbledhjes së mutit në banjat portative të qytetit. Ama, një gjë mund ta them: ne kemi shtatëdhjetë vjet që bëhemi copë me njëri-tjetrin: ç’je ti e ç’jam unë, ti me biografi të mirë e unë me biografi të keqe… Edhe Malua, që ishte pesë vjeç kur filloi Lufta e Dytë Botërore, ai gjitoni im, ka marrë kartë veterani, që thua ti…
– Veteran leshi! – tha Vasua.
Taqka u murrëtye në fytyrë.
– Kështu nuk bëhet ai atdhe! – tha Taqka. Dhe pastaj më pyeti si me tërsëllëm udhëheqësi: – Dëgjove ti, mo, çfarë thashë, apo jo?
– Çfarë the, zotrote?
– Ty të kanë lënë veshët fare, o i humbur. Po pse me shurdhë si puna jote do ta bëjmë atdheun ne?
Taqka më fliste në veshin e majtë. Por ai vesh ma ka lënë shëndenë me kohë…
Eh Taqkë, Taqkë, të pifsha kupën bre!

Redaktoi: Ornela Musabelliu