Press "Enter" to skip to content

Konstandin KAVAFIS: Itaka

Teksa merr udhën për në Itakë,
uro që ajo të jetë e gjatë,
plot peripeci e dije!

Lestrigonët e Ciklopët,
Poseidonin e hakërryer frikë mos ta kesh,
të atillë përgjatë udhës kurrë nuk do gjesh,
në arritsh mendimin lart ta mbash,
nëse mallëngjim drithërues,
trup e shpirt të përshkon.

Lestrigonët e Ciklopët,
Poseidonin e kreshpëruar nuk do i ndeshësh,
nëse s’i mbart në shpirt,
nëse shpirti s’i faneps para teje.

Të urosh që udha të jetë e gjatë,
të shumta mëngjeset verore,
që me ç’hare e ngazëllim të pamat’
limanë të pandeshur më parë do të shkelësh;

Në tregje fenikase të ndalesh
e mallra të mira të përzgjedhësh,
sedefë, koralë, qelibarë, abanozë
dhe larmi erëzash epshndjellëse;
sa më shumë erëza joshëse.

Të shkosh në qytete egjiptiane,
të mësosh vazhdimisht prej të lëçiturve.
Ruaj gjithnjë në mendje Itakën.
Mbërritja është drejtimi yt i parashkruar.

Por, udhëtimin mos e shpejto asfare.
Vite të tëra le të zgjasë.
I vjetër, do qetohesh sërish në ishull,
i pasur nga gjithçka që fitove udhës,
pa pritur që Itaka të të pasurojë.

Itaka të fali udhëtimin mahnitës.
Pa të nuk do nisje rrugëtimin.
Por tani nuk ka më ç’të të japë.

Dhe nëse të varfër e gjen,
Itaka nuk të ka zhgënjyer.
I ditur siç je, plot përvojë,
tashmë e di ç’kuptim kanë Itakat.

Përktheu nga greqishtja: Eleana Zhako