Press "Enter" to skip to content

Mitrush KUTELI: “Dhimbje” poetike

Këto tre poezi të Mitrush Kutelit (Dhimitër Pasko) janë mishërim i jetës së tij të trazuar. Pa dashur të hyjmë në debate patriotike e politike për figurën, sot në ditëlindjen e tij, poezia është ajo që shuan zhurmat e na tregon se kush ishte njeriu i përndjekur nga hijet e patriotizmit të vet, nga besimi në një zot që e “braktisi”, burri që i falet dashurisë e i uron lumturinë pa të.
Shumë është folur për “fatin” e tij të keq, por në vargjet e më poshtëme Kuteli dëshmon se “fati” është i tiji dhe mbart mbi vete ndershmërisht mëkatet pa dashur t’ja atribuojë kurkujt tjetër.
Vargu i tij, shpesh i nxituar, në këto tre poezi shpalos mjeshtërinë mbi metrikën dhe retorikën moderne, që nuk bie asnjëherë në folklozizëm.
Këto tre poezi shfaqin dhe pjekurinë e tij gjuhësore, me një sintaksë të pastër dhe muzikalitet të spikatur.
I dyzuar mes dy identitetesh, një që ishte e një që donte, Dhimitër Pasko është emri kryesor në poezinë moderne shqipe, ndoshta edhe mbi Lazgush Poradecin, dhe patjetër shumë më lart se Agolli dhe Kadareja.
Dritan Kiçi

Si nesër…

Do të pëshpëritë era ndaj mbrëmje si nj’herë,
prej valësh do ngrohet hëna si sot,
me iskra prej bryme do mbuloj’ mermerë
dhe bota do jetë si ish dhe qëmot
Si nesër do shtrihet lëndina për mbi varr
Valë-dheu do zenë t’palosen ngadalë,
do endë parevera e lule e bar,
dhe zile do rrëshqasin që prej male.
Do qeshë dielli në qoshen e një reje,
do thajë lotët mbi lulet e qershisë, larg,
mbytur do ndjehet gjëmimi i një rrufeje,
përmbi mal do hapet brez’i Perëndisë.
Do shtrojë dhe dimri qilim të argjendtë
mbi plloçën e tretur, mbi kryqn’e anuar,
do rritet harrimi me dherin e rëndë
dhe unë do fle, ty duke t’ëndërruar…. (dhe të t’harruar)

Sime shoqe

Kaq afër jemi, por kaqë larg
Të lutem mos më prit –
na ndajnë terre rreth e qark
dhe yll për mua s’ndrit.
Përse ta lidhësh fatin tënd
me një pafat si unë,
kur di se emri im u shëmb
me dhunë e me përdhunë?
Pra hidhe hapin guximtar
ndaj jetës së gëzuar.
dhe më harro këtu, në varr,
të vdekur pa mbuluar.
Se unë pres, përças po pres
një udhë fort të gjatë
dhe një të martë, në mëngjes,
do hidhem nëpër natë.
Nëpër një natë që s’ka mbarim
po qetësi për jetë:
Pushim… harrim… pushim… pushim…
në prehjen e vërtetë.

Më di a nuk më di

Më di a nuk më di se qaj,
më di a nuk më di se vuaj
në orët e thella të natës,
kur ngrihem i çmendur të shkruaj
me gjakun e zemrës të shkruaj.

Më di a nuk më di se agimet
më gjejnë pa gjumë në shtrat,
me shpirt të shkretuar nga dhembja,
e dhimbshëm i pres perëndimet,
me ankth i pres perëndimet.

Më di a nuk më di se sot
u drodha kur pashë pranverën, (vjeshtën)
që zbriste me flladet e prillit (tetorit),
e ëmbël siç ishte qëmot,
e hidhur siç ishte qëmot.

Më di a nuk më di se vuaj
në orët e thella të natës,
kur ndjehem nga jeta i huaj,
nga vendi i lemjes i huaj.
Më di a nuk më di…