Press "Enter" to skip to content

Julio CORTÁZAR: Prozë

Me rastin e përvjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh argjentinas, Hulio Kortásar, po sjellim katër minitregime të tij. Përkthyeu nga spanjishtja, Bajram Karabolli.

Udhëzues për të qarë

T’i lëmë mënjanë shkaqet, të përqendrohemi kryesisht te mënyra e saktë e të qarit, duke kuptuar me këtë një qarje që të mos kalojë në ulërimë dhe, aq më keq, në një fyerje të buzëqeshjes me ngjashmërinë e saj paralele dhe të trashë. Qarja mesatare dhe e zakonshme mbështetet në një ngërdheshje të plotë të fytyrës dhe në një tingull spazmatik të shoqëruar me lot dhe qurra, këto të fundit në mbarim, sepse e qara mbaron në çastin kur hundët shfryhen me forcë.
Për të qarë duhet ta drejtoni imagjinatën nga vetja juaj dhe, nëse kjo ju duket e pamundur, nga që është bërë zakon të besosh në botën jashtë vetes, mendoni një rosak të mbuluar me milingona ose gjiret e ngushticës së Magelanit, ku asgjë nuk kalon më, kurrë.
Me të mbërritur qarja, fytyra duhet të mbulohet me dinjitet, duke përdorur të dyja duart me pëllëmbët nga ana e brendshme. Fëmijët do të qajnë duke e mbuluar fytyrën me mëngët e xhaketës dhe duke u strukur në një kënd të dhomës. Zgjatja mesatare e qarjes: tri minuta.

Udhëzues për të kënduar

Filloni duke thyer pasqyrat e shtëpisë suaj, i ulni krahët poshtë, shikoni turbull murin, duke harruar veten. Nxirrni vetëm një notë, duke e dëgjuar së brendshmi. Nëse do të dëgjoni (por kjo do të ndodhë shumë më pas) diçka si një peizazh zhytur në frikë, me zjarre midis gurëve, me figura gjysmëlakuriqe të ulura galiç, besoj se do të jeni në rrugë të mbarë dhe, e njëjta gjë, nëse dëgjoni një lumë gjatë të cilit zbresin varka të ngjyera me të verdhë e me të zezë apo nëse ndieni një kundërmim buke, një prekje gishtash, një hije kali.
Më pas blini solfezhe dhe një frak, dhe, ju lutem, mos këndoni në hundë dhe lëreni të qetë Shumanin.

Hyrje në udhëzimet për të kurdisur orën

Ja çfarë mendon: kur të dhurojnë një orë, të dhurojnë një skëterrë të vogël të lulëzuar, një zinxhir trëndafilash, një qeli të ajrosur. Veç nuk ta japin vetëm një orë duke të thënë: e gëzofsh ditëlindjen e qofsh i lumtur dhe shpresojmë të rrojë gjatë se është markë e mirë, zvicerane me gurë rubini; nuk të dhurojnë vetëm këtë gurskalitës të vogël, të cilin do ta mbërthesh te kyçi i dorës dhe do të dalësh të shëtisësh me të. Të dhurojnë – nuk e dinë, më e tmerrshme është se nuk e dinë – të dhurojnë një tjetër pjesë të brishtë dhe të pasigurt të vetes tënde, diçka që është e jotja, por që nuk është trupi yt, që duhet ta mbërthesh në trupin tënd me rripin e saj, si një përqafim i dëshpëruar kapur te qafa e dorës tënde. Të dhurojnë nevojën që ta kurdisësh përditë, në mënyrë që të vazhdojë të jetë orë; të dhurojnë maninë të kontrollosh orën e saktë në vitrinat e argjendarëve, në radio, në telefon. Të dhurojnë frikën se mos e humb, se mos ta vjedhin, se mos të bie në tokë dhe të thyhet. Të dhurojnë markën e saj dhe sigurinë që është markë më e mirë se të tjerat, të dhurojnë aftësinë për të bërë dallimin mes orës tënde dhe orëve të tjera. Nuk të dhurojnë një orë, i dhuruari je ti vetë, të kanë dhuruar ty për ditëlindjen e orës.

Udhëzues për të kurdisur orën

Ja ku është vdekja, atje në fund, por mos kini frikë. Mbërthejeni orën me një dorë, kapeni me dy gishta rrotëzën e kurdisjes, rrotullojeni ngadalë. Atëherë vjen tjetër kohë, pemët lëshojnë gjethet, varkat nisin garat e tyre, koha si një erashkë do të shpalosë vetveten dhe prej saj do të shpërthejnë: ajri, flladet e tokës, hija e një gruaje, kundërmimi i bukës.
Ç’doni më shumë, ç’kërkoni më shumë? Lidheni shpejt në kyçin e dorës suaj, lëreni të rrahë e lirë, imitojeni me gjithë dëshirë. Frika ndryshk akrepat, gjithçka që ka mundur të prekë dhe që ishte harruar po vrapon nëpër venat e orës, duke e gangrenizuar gjakun e ftohtë të rubinëve të saj. Dhe atje në fund qëndron vdekja, nëse nuk vrapojmë për të arritur të parët, nuk do ta kuptojmë se atëherë asgjë s’ka më rëndësi.

 

Pak biografi

Hulio Kortazar (Julio Cortázar), me pseudonim Julio Denis, lindi më 26 gusht 1914, në Bruksel, Belgjikë dhe vdiq më 12 shkurt 1984, në Paris, Francë. Shkrimtari argjentinas ndërthuri në veprën e tij dyshimin e egzistencializmit dhe teknika eksperimentale rrëfimi.
Bir i dy argjentinasve, u edukua në Argjentinë, ku punoi si mësues në një shkollë 9-vjeçare dhe si përkthyes.
Bestiario (1951; “Hauri”), një përmbledhje tregimesh u botua në Paris, ku pas 30 vjetësh mori dhe shtetësinë franceze, më 1981. Megjithatë ruajti edhe shtetësinë argjentinase. U përzie shpesh në çështje politike të Argjentinës dhe Nikaraguas.
Vepra të tjera janë: “Final del juego” (1956; “Fundi i lojës”), “Las armas secretas” (1958; “Armë sekrete”).
Vepra e tij është përkthyer në anglisht dhe gjuhë të tjera. Tregimet dhe personazhet e tij kanë qenë frymëzim për filma të njohur.
Më pas botoi edhe: “Rayuela” (1963), “Los premios” (1960), “62: modelo para armar” (1968), “Libro de Manuel” (1973), “Historias de cronopios y de famas” (1962), “Todos los fuegos el fuego” (1966), “Un tal Lucas” (1979) and “Queremos tanto a Glenda, y otros relatos” (1981).
Kortazar shkroi gjithashtu poezi dhe botoi shumë libra me ese.