Press "Enter" to skip to content

Albina GJERGJI: Poezi

Ah, me mujt’

Me mujt’
me e dashtë
në kohën e tashme,
kryefjalën e mendimeve të mia!
Asgjâ s’i kisha kërkue tjetër gegnishtes tande.

As për tosk’nishten “s’do doja t’ia dija”!

Me mujt’
Me e futë Paskajoren “me dashtë”
në kohën e pa kohë të çdo kohe në “T’due”…
Sa bukur kishte me kénë!

…se
ME DASHTË
pa përcaktue vend
nuk ka nevojë për kohë.
As për folje ndihmëse,
as për fjali t’përbâme.
Duhet vetëm numri njàjës,
mbushë me dashni
Kryefjalë…
UNË,
TI në NJI!

Me mujt’
Me e dashtë
n’gegnisht
t’u‘j e njoftë si gjuhë e jo dialekt
paskajorja kishte me n’a lejue me kénë bashkë gjithmonë.
Me t’dashtë
E me m’dashtë!

Edhe At’ Fishta kishte me n’a bekue…
n’PASKAJORE!

M’rrokesh

A don me i shtri hallet tueja
N’prehnin tem?
Aty gjen shumë të miat,
por edhe tuejave ju bâj vend.

Nji nga nji nisim
e i kjajmë bashkë.
Në mos mundshim
me i zgjidhë,
rrokena tue u dashtë”

“S’asht rrobë për ty dashnia”
`
Kisha thurë tri triko poezi për ty,
por asnjena nuk i rrinte
mirë zemrës tande.

Atë që e nisa t’parën
e që e përfundova t’fundit,
m’the se nuk i bante
gjoksit tand të vogël.
Heshta dhe
vetes ia vesha!

Të dytën, që mbasi
e punova me ma shumë zanore
sesa bashkëtingëllore,
ma hodhe tej,
pse s’kisha qëndisë
n’mendje llogarinë me ty!

S’dija.
S’mujsha.
S’më kishin mësue!

T’fundit triko, të cilën nxitove
me e veshë t’parën…
E grise pa hy në trupin
tand t’ftohtë.
Si dimni ynë
i ngushtë
në natën e huej.

Tash,
ndër sy kam grimcat
e akullit shpirt-shqyem!
Arna…
“Me shumë pastërti”
“Për ty”
“Dashni”…
“Prej duerve të mia”.

Kisha thurë
tri triko poezi për ty.
Kanë kohë të grisuna aty.

GËZUAR

E di unë…
Don me m’bâ
me shkrue n’këtë orë!
Don me m’nxjerrë në ballkon
me u puthë me erën
e me bâ “gëzuar” me venën!

Nji hurb
dy
tre
katër…

Epo… gëzuar!
Ta festojmë vetminë!

Për njeni-tjetrin,
Për të dy ne pa “NE”
dhe mijëra vite shpirt largësi,
Për çka patëm e s’patëm…

GËZUAR!

Për dështimin tim n’dashni
e suksesin e paaftësisë tande.
Për egoizmin tand e altruizmin tim,
Për tavolinën tonë “e rezervueme”
dhe kamarierin me papion blu.

GËZUAR!

Për kangën tande të preferueme
e vallëzimin tem nën shi,
Për avujt e buzëve në gotën bosh
e mesazhet e padërgueme në kuti,
Për zgjuarsinë
e kinse mprehtësinë tonë.

Për instiktet…
Për arrogancën tande të adhurueshme
e ndrojtjen time idiote…

GËZUAR!

Për çka s’u tha,
ma shumë se u tha.
Për “dhimbjen” time të ambël
e “ambëlsinë” tande të idhtë.
Për fitoret e mia në humbje
e për humbjet tueja në fitore.

GËZUAR!

Për shtëpitë me drita fikun,
Për komshijtë që u çuen prej gjumit,
Për tarabat që u ngritën
e lokalet që u hapën.

GËZUAR!

Për mue
për ty
për agun
vetminë
bulkthin
erën
e venën…

GËZUAR!

 

Redaktoi: Primo Shllaku