Press "Enter" to skip to content

Albina GJERGJI: Poezi

Andrrat e babës

Kur isha e vogël,
baba jem thurte shporta andrrash,
t’mbushuna me t’ardhme
për mue.

Pinte kafen turke
nadje herët
e, mbasi numëronte hallet
nji e nga nji,
pa bâ zâ,
e kishte zakon
veç thurte shporta
dëshirash…

T’njajten gjâ
bante përditë,
a thue se,
mbasi
mbaronte shportën
e radhës,
andrrat i ishin realizue!

Nji ditë e thithi aq fort
kafen prej filxhanit,
sa m’çoi prej gjumit
e m’shkputi
prej lojës me kuklla…
E pashë krejt hundë e buzë
e, tuj kalue nëpër duer
fijen e thuprës,
m’qeshi
me nuanca dhimbsunie
si me dashtë me m’thanë:

“M’fal, mor bab’,
por kjo shporta
që kam n’dorë
e që po e thuri
me fije shprese
për ty,
m’përhumbi
E fyti m’u tha
kur m’u kujtue
sesi u këput,
thupra e shportës
që gjyshi yt
dikur
kish bâ për mue.
Për bijen time
ka me qenë
ndryshe,
Koha ka me e ndihmue”!

Baba jem…
Ai andrrimtari
i pandreqshëm,
si e bija e tij sot,
dështimet e ditës
i mbulonte me jorgan n’darkë,
por vetëm
pasi u kishte thanë
“Natën e mirë”
dyerve t’pahapuna
t’miqve pa miq.

Ai kishte duer t’vrazhda,
shpirtin e butë,
zemrën e bardhë,
ftyrën e përvujtë.
Fliste me sytë jeshilë
krejt si ullini mijëravjeçar,
nën degët e t’cilit Jezu Krishti
dikur predikonte sesi duhej qenë
NJERI.

Kur isha e vogël,
baba jem
thurte shporta andrrash
t’mbushuna me t’ardhme
për mue.

Si psalm më përsëritet
në kry dëshira e tij:
“BIJA IME, TI DUHET ME GËZUE!”.

 

Fshiji lotët nanë

Natën, kur kocat
shtrin n’shtrat,
nana jeme mos u ligshto.
S’asht mirë me kja natën!
Edhe pse poshtë
nënkresës tande
flejnë plagët e pashërueme,
mos kjaj…
N’kjoft’se g’jujt
T’dhembin
prej peshës s’kohës
e sytë zgavrra
t’janë bâ jo vetëm prej moshës,
më ço edhe mue,
kjajmë bashkë,
siç m’ke m’sue edhe me dashtë
Sepse… nana jeme
ti e din!
Na bashkë jena mësue
me e nda mallin.
Bashkë jena mësue
me e mbulue hallin
Bashkë
jena mësue edhe kafen me pi,
si dikur, në votër
kur ndizje zjarmin.
Bashkë jena mësue
me u pa gjatë n’sy
e me i thanë njena-tjetrës,
“Zot, çka bâj unë pa TY”(?!)
Nana ime?!
Nigjo…
kur vetëm t’mos jesh,
por vetëm t’ndihesh,
kur t’marrësh me u çue
e me u kujdesë për mue,
mbasi lotët t’i kesh fshi
e kapërdi kocin,
kujtoju shpirtmadhe.
Unë jam mbrenda teje,
fetus i strukun,
gjithmonë n’formë zemre…
Fshiji lotët, nanë.
Se po s’i fshive ti,
unë
kam me t’i puthë…

 

T’kam rrejtë

Sa i përket mbramjes
së djeshme,
të rrejta kur t’lashë me kuptue
se atë poezi
e kisha bâ për ty…

Unë s’kisha bâ veç atë
poezi për ty,
por të tana çka kam
lexue
e krijue,
shkruejtë
e ruejtë
nëpër cepat e
Morfologjisë
Fonetikës
Albanologjisë
Sintaksës
Linguistikës
Gramatikës
Leksikologjisë…

Çka thashë?
Letërsisë?
Ncuk…
Qysh në Hyrjen e Gjuhësisë…
Bash njat’herë
mbaj mend që
tanë poetët
u mblodhën
bashkë me vargëzue…
Domethanë… siç duhet
Për ty e për mue.

Pra,
unë të rrejta kur t’lashë me kuptue
se atë poezi mbramë
e kisha bâ për ty…
Unë s’kisha bâ
veç atë poezi për ty.
Por tana çka ke lexue
qysh se ke
e kam mësue me shkrue.

A e sheh sa shumë
vite paskena bashkë?
Qysh kur se nuk ishim njoftë
t’paskam e m’paske dashtë…

 

Redaktoi: Primo Shllaku