Press "Enter" to skip to content

Arben Orhani: “Thonj(ëza) për Kritikën” (Përse jo një Kritikë tjetër?!)

Arben OrhaniKëto radhë nuk kanë ndonjë qëllim të veçantë apo t’i drejtohen doemos dikujt. Ato përpiqen, tani për tani, më tepër të mbajnë mendimin vetjak me këmbë në tokë, ose të paktën pupthi, brenda kufijve normalë të një ambienti nga shumica e sistemeve zotëruese në botë. Në këtë shkrim, gjithashtu, mund të bjerë në sy përpjekja për të mos u zgjatur, sepse përndryshe do të bija në kurthin e stërzgjatjes së “një artikulli shkencor”.
    Po le të flasim pak në mënyrë figurative, ashtu si bën vetë Letërsia, të cilën edhe vetë Kritika synon ta zbërthejë në mënyrë të tillë.
    Letërsia ekziston, tashmë prej kohësh, si pjesë e njeriut (të paktën duke filluar nga ai normal), pjesë e pashkëputshme dhe e qenësishme e jetës dhe inteligjencës së tij. Po ta krahasojmë Letërsinë me një qenie dhe me një qenie tjetër masën e madhe të lexuesve, në mes  tyre e vë veten dhe qëndron ajo pjesë e shoqërisë që e quan veten Kritika ose teoricienët, apo emra të tjerë që i vënë vetes, bashkë me qëllimin e pakuptueshëm për “të përcjellë të vërtetën te lexuesit” dhe për të qenë “përkthyes” të veprës letrare, studiues të Letërsisë, “shkencëtarë të vërtetë”.
    Kjo qenie (Letërsia) u afrohet në fillim me ndrojtje njerëzve, me dyshimet dhe siguritë e veta. Të dyja palët e dinë shumë mirë se s’mund të ekzistojnë normalisht pa njëra-tjetrën, e dinë dhe kaq. Masa e shkencëtarëve (edhe vetë ata nuk e dinë mirë në është shkencë apo “krijimtari e mirëfilltë”, këtë e bëjnë mbase për t’i hedhur vetes tisin e Letërsisë), qenia që kërkon patjetër një vend midis , kur ia arrin kësaj shndërrohet në tumor dhe përpiqet të futet në skutat më të errëta të letërsisë. E merr përsipër këtë pa ia ngarkuar askush, ashtu si bën Letërsia, të cilën njerëzimi e përzgjedh dhe e bën pjesë të vetën. Ndërmjetësimin nuk e kërkon asnjëra palë. Kjo përpjekje, tashmë e dhunshme, është pjesë e pandarë e mashtrimeve të mëdha që pas asaj që quhet “era jonë” (apo mos është më mirë aroma jonë?), që çdo lloj sistemi botëror, shtetëror ose fetar, përdor për mbajtjen në kontroll të mendimit njerëzor dhe nënshtrimin e mendimit të lirë. Dhe jo rastëtsisht kjo përpjekje është më e stërholluara dhe e përkujdesshmja ndër të tjerat e këtij lloji: Letërsia gjithonë ka qenë dhe mbetet kështjella e fundit për shpirtin njerëzor dhe më e mbrojtura nga të gjitha sistemet, mashtrimet e fuqitë ekonomike. Por kohët e fundit shoh një farë dobësie në sistemin mbrojtës të Letërsisë, gjë e pritshme nga sulmet e gjithanshme, madje edhe nga brenda kështjellës (nga e ashtuquajtura kritikë, e cila, pas dështimeve të njëpasnjëshme, merr përsipër rolin e Kalit të Trojës, duke harruar se këtu se pësimi bëhet mësim pas çdo sulmi).
    Letërsia, si çdo qenie tokësore, detyrohet ta kundërshtojë këtë futje të diçkaje të huaj në trup. Rend të fshihet, por e di që s’mundet dhe fillon të ndryshojë formë dhe përmasa, ngjyrë e përmbajtje, shkurt, zbulimi i brendësisë së saj bëhet i vështirë, tepër i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Dhe duke u bërë e tillë për ata që duan ta kapin e t’i futen brenda, pastaj ta “shesin” ashtu si duan vetë, bëhet për këdo, pa përjashtuar edhe ata të cilëve donte t’u afrohej dhe që pa të cilët nuk ekziston, njerëzit, që pa të janë të humbur. Një mbyllje e tillë, e skajshme si një gur i fortë, të detyron të futesh brenda vetëm me një kokëfortësi prej shkencëtari. Thyhet guri dhe bëhet mijëra copa që nuk ngjiten dot më, kurrë. Një thyerje e tillë, e thatë, e fortë, do të na trembte duke na prishur qetësinë. Do të ngeleshim të shtangur sikur të ishim para vdekjes vetë. Duke mos ditur asgjë për vdekjen, përveç emrit, do të ngeleshim ashtu, të shtangur, të humbur. Na duhet diçka që të na shtyjë drejt saj duke na pëshpëritur në vesh të mos kemi frikë, por të ecim përpara duke shtrënguar dhëmbët, të vendosur e me vështrimin përpara, përndryshe vdekja do të vijë vetë drejt nesh. Të shohim…
    Ka ardhur koha që angazhimi dhe pjesëmarrja të mos shihet më nga një këndvështrim i lëkundur ekzistencialist. Jam dakord me njeriun absurd të Kamysë, por edhe me çekiçët e Niçes e me përpjekjet e personazheve të vonë të Kavka-s. Nuk ja me atë lloj veprimi që vjen si pasojë e mendësive tashmë të formuara brenda sistemeve, por për një angazhim të frymëzuar vetëm nga mendimi i lirë dhe revolta e vazhdueshme.
    Nëse do  ta krahasojmë Kritikën me diçka mund të marrim rastin e Jezusit (jo  personit real) dhe gjithë atë çka vjen pas tij. Rasti i tij ishte kulmi i një prej mashtrimeve të mëdha, jo fillimi. Fillimi ishte në shkatërrimet e demokracisë së qytetërimeve antike dhe zhdukjes së qëllimshme të Letërsisë së atëhershme. Nuk diskutoj ekzistencën reale të Krishtit si profet, por atë çfarë nisi me manipulimin e vdekjes ose vrasjes së tij, Krishtërimin dhe mënyrat propaganduese të tij dhe asaj mendësie, e cila mbizotëron deri sot. Nuk di hollësira, por mendoj se shumë teori alternative kanë diçka të vërtetë, të mbuluar tashmë nga misteri i qëllimshëm. Ne na kanë mbetur vetëm legjendat dhe pak Letërsi.
    Askush s’mund të futet diku pa u tjetërsuar, pa qenë dhe pa jetuar si diçka tjetër. Përse Zoti kërkoi të shumohej, para nja 2000 vjetësh (sipas Krishtërimit), dhe nuk përpiqet përsëri? Shumimi dhe lënia e pasardhësve bëhet vetëm nga njerëzit dhe qeniet e tjera të vdekshme, qoftë edhe vetëm në mënyrë të pavetëdijshme.
    Jezusi, duke e ditur që i ati nuk ekzistonte, u përpoq t’i zinte vendin, dhe vendi i dikujt që nuk ekziston, e kanë vrarë ose ka vrarë veten mund të zihet shumë lehtë. Pajtoi 12 truproja që do të luanin pakashumë rolin e tij të mëparshëm dhe murin filtrues për te ai, në mënyrë që skema e funksionimit të gjeratëhershëm të plotësohej deri në detaje. Pasi e zuri këtë vend, mendoi të bëhej menjëherë i pavdekshëm, por “dështoi”: “u vra” nga njerëzit, disa nga të cilët u përpoqën t’i çirrnin njëherë maskën dhe pastaj ta hiqnin qafe, por ishte shumë vonë : tashmë Ai ka hyrë në histori, madje duke mënjanuar në një farë mënyre edhe vetë Zotin. Njerëzit e vranë shumë shpejt dhe e bënë mit mbase edhe padashur, u manipuluan nga plani i tij vetëvrasës. Kjo është vetëvrasja më e gjetur dhe më e dobishme për veten në historinë e “erës sonë”.
    Këtu filloi të konsolidohet gardhi i gjembave që sulmonin kështjellën e njeriut. Kushdo mund të hamendësojë ç’ndodhi më pas, derisa mashtrimi ka marrë së fundi në dorë armët më të fuqishme: shtetet, mediat dhe ekonominë. Prandaj edhe lëkundja e mureve të kështjellës së fundit është mëe madhja e ndjerë ndonjëherë. Madje sot njerëzit po lindin jo vetëm me mendësi të parapërgatitur nga sistemet e sotme.
    Pikërisht këtë rol do që të luajë edhe Kritika. Kërkon të mbyllë rrugët e komunikimit mes Letërsisë dhe Lexuesit, ta çoroditë, izolojë këtë të fundit, dhe, pasi ta ketë futur në një udhëkryq kozmik, ta vërë veten në rolin e shpëtimtarit, që “do t’i marrë për dore të humburit dhe do t’u tregojë rrugën”. Kritika e di që është pothuajse e pamundur, por megjithatë i ka bërë mirë planet, edhe atë të “dështimit”. Asaj i duhet çjerrë maska para se të pajtojë vrasësit e vet dhe të zërë një vend tepër të rëndësishëm, kudoqoftë ky. Kjo mënyrë manipulimi, e vjetër sa Zoti i sotëm duhet hedhur poshtë një herë e mirë.
    “Zoti vdiq”, thotë Niçe. Në fakt e vranë, por kjo, me sa duket, për njerëzimin, është e lejueshme dhe e pashmangshme. Mbase koha po tregon se ka dhe duhet të ketë diçka të palejueshme dhe të pavdekshme. Kjo do të jetë në mos gjithë letërsia dhe shkrimtarët, të paktën një pjesë e tyre mbijetuese.
    Më vjen ndërmend tapa e lehtë e shishes me kumtin brenda, e hedhur në det. Pasi e ka parë fundin e detit, ka lënë shishen aty dhe është ngjitur lart, në sipërfaqe. Edhe nëqoftëse ai që ka hedhur shishen kapet pas saj për herë të fundit e pa shpresë, ashtu si bën gjithmonë i mbyturi i këtij lloji, pasi të ketë vdekur do t’i hapen gishtat e dorës ngadalë dhe tapa do të çajë drejt sipërfaqes, tamam atje ku e ka vendin një tapë. Ajo, si e vetmja pjesë përbërëse  e strukturës së kumtit dhe më e vogla, e cila mund t’i shpëtojë përmbytjes së madhe, do të jetë patjetër e kërkuar dhe e gjendshme nga sytë e lundërtarëve të guximshëm që çajnë oqeanin e panjohur. Dhe ajo e di këtë më mirë se çdo gjë tjetër, ndërsa në një varkë të vogël, ku askush nuk rremon, duken siluetat e ngrira të më të mëdhejve, që shikojnë në heshtje horizontin e mjegullt.
    Krijuesi u hedh diçka në prehër njerëzve dhe shikon sipas mënyrës së vet reagimet e tyre. Ata mendojnë dhe veprojnë pambarimisht ndryshe. Ka nga ata që e marrin aq seriozisht dhe me naivitet sa s’mund të mos e bëjnë të qeshë me të madhe. Këtë e bën duke patur parasysh se te njerëzit hyjnë edhe kritikët, të cilët mund të jenë edhe  personazhe, të urryer e të ironizuar. Në fakt, për ta kjo mjafton. Mënyra më e mirë, ose kur e qeshura e madhe shndërrohet në një buzëqeshje të ëmbël, është të merret gjithçka ashtu si marrin fëmijët një lodër të bukur, por moderne e të panjohur.
    Njerëzit, bashkë me ta dhe kritikët, gërmojnë dhe futin hundët ngado. Në një farë mënyre kjo është gjë e mirë, por i gjithë problemi qëndron se duhet të gërmojnë edhe pak mbrapa, atje ku kanë kaluar me shpejtësi, për t’i parë gjërat më qartë, pastaj të vazhdojnë aty ku e kanë lënë, për të mos ndalur më kurrë.
    Në krye të atyre që gërmojnë nuk kanë qenë asnjëherë ata që duhet, por ata që, pasi kanë gërmuar disa centimetra thellë, mërziten, thonë mjaft dhe i mbushin mendjen vetes e të tjerëve se arritën fundin. Dhe, për të mos i lënë gropat hapur, sepse përtojnë t’i mbyllin përsëri, i mbushin ato me ndonjë prej ndjekësve të tyre. Pasi e ngjeshin pak dheun me këmbë largohen duke u buzëqeshur njerëzve dhe qeshur me vete.
    Të gjithë ne jemi ngapak varrmihes, por duhet të mundohemi të mos bëhemi varrmihës të tillë.
    Mendoj se një nga shembujt më domethënës të këtij abuzimi është ai i Franz Kavka-s. E shpjegojnë ose i afrohen Kavka-s nga këndvështrimi i  letrës drejtuar të atit, nga këndvështrimi i Zotit, Marksit, Frojdit, etj, pa patur mirë parasysh ndërgjegjësimin e këtij shkrimtari për  çfarë ka shkruar. Personazhet e tij, janë të ngjashëm me të, janë si kërrminj të vendosur nga kush e di se kush mbi shinat e trenit, të nisur drejt një stacioni të dëshiruar dhe ëndërruar, por që e dinë se nuk ekziston. Ata s’mund të arrinin dot edhe sikur të ekzistonte; jeta  e tyre është shumë e shkurtër, ose do të shtypeshin rrugës nga trenat e rëndë. Megjithatë, për  kërrminjtë ekziston një qëllim, me të cilin i japin kuptim jetës së tyre të shkurtër.
    Shpresa e adoptimit nga një kështjellë, një mesazh perandorak që nuk mbërrin kurrë, një proces misterioz, i cili sjell një fund, por jo të vetin, korridore të gjata pa fund ku dergjen kufoma të ftohta, ankthe kllapish të zgjatura, një mbyllje sysh… një ikje… për të mos parë një çast realitetin, por imazhet e veta, sido qofshin ato.
    Kafka u mundua të gjente shpëtim te letërsia, stacioni i vet, dhe ka shkruar jo më shumë për të tjerët, duke u servirur një lloj letërsie, sesa për vete (të paktën në atë kohë).
    Me shfaqjen e idesë së djegies së veprës, ai na ka futur ankthin e mospatjes së një vepre, si shumë të tilla të humbura gjatë historisë së racës njerëzore, e cila bën autopsinë e vetes me bisturinë – Kavka, duke i bërë gjërat jashtëzakonisht të tejdukshme, duke nxjerrë në pah të vërteta që gjithmonë janë të bashkëngjitura me fytyrën njerëzore, e cila kërkon që ta ruajë mjetin e shpëtimit, Letërsinë, si diçka që do t’i vijë koha të përdoret vetëm në rast mbytjeje, duke e lënë në një qoshe, të pluhurosur me bojë të vjetër.
    Duhet të rritemi në të gjitha drejtimet, që të dimë të ecim gjithmonë mirë, qoftë edhe përballë një apokalipsi, fund që mbase ka shtyrë shumë shkrimtarë  të parapëlqejnë vetëshkatërrimin  e veprës së tyre sesa diçka tjetër, qoftë kjo edhe  më e madhe se ta dhe njerëzimi.
    Ndonjëherë flakim diçka nga vetja për ta kërkuar më vonë, sikur nuk e kemi patur ose e kemi humbur. Kjo s’duhet të ndodhë, por nuk duhet të ndodhë as dhënia pas saj, duke u bërë skllav në mënyrat më të tërthorta e të thjeshta. Gjithçka po bëhet shumë e vogël (mendësia, bota, njerëzit, shpirti, etj), si një rreth që ngushtohet. Perimetri i tij, aty ku ne rendim, po bëhet qendër, duke na bërë të rrotullohemi rreth vetes. Po e humbim kohën kot duke bërë gjëra “të rëndësishme” e duke fjetur gjumë, por edhe kur nuk flemë, nuk e bëjmë për të fituar kohë (çlodhur), por për t’u shqetësuar për gjëra të kota që na vjedhin kohën dhe shpirtin. Ne, në një mënyrë apo tjetrën, do të mësohemi me fundin, qoftë edhe në çastin e fundit, por kemi mjetin që fundin ta afrojmë, madje ta kapërcejmë dhe të fitojmë pavarësinë e përjetësinë.
    Nevoja për gjithçka dhe shkëputja nga çdo gjë, kërcimet pupthi që na lejojnë të shohim për një çast prapa mureve, kontakti me tokën, nuk duhet të na lodhin, megjithëse duken (janë) të kota. Përtej mureve s’ka asgjë dhe toka është e shkretë. Ne vazhdojmë kërcimet pupthi dhe hedhim gjëra përtej. Një ditë shkojmë t’i kërkojmë, i gjejmë, i marrim me vete dhe bëjmë gjumin më të qetë të jetës sonë, me të cilën edhe vetë ne tallemi, si zotërues (të mjetit të përjetshëm) që jemi.
    Gjithnjë e më shumë po pakësohet numri i lexuesve dhe Kritika bashkë me televizorin, internetin, median etj. po i japin goditjet më të mëdha Letërsisë. Këtë e shoh edhe në shterpësinë e përmbajtjes në prozë, një letërsi e vogëlsirave, gjithmonë jo e keqe dhe e domosdoshme, një letërsi pa angazhim (jo në kuptimin revolucionar, por për një Letërsi që të shpëtojë mendimin nga vorbullat e veta çoroditëse e vdekjeprurëse dhe nga militantizmi intelektual që e ka pushtuar kohët e fundit. Sa për Kritikën, në përgjithësi, edhe sikur ajo të mos jetë pjesëmarrëse e vetëdijshme e mashtrimeve të mëdha, ka ardhur koha që ajo të zgjedhë: ose të luajë rolin e një muri filtrues, tullat e të cilit të jenë kritikët, ose, sikurse në fakt ka bërë, të vazhdojë t’i tejkalojë përmasat e veta, duke u bërë i pakalueshëm apo duke u shembur fare. Madje ky mur ka arritur t’u bashkangjisë shkrimtarëve, sidomos atyre të vdekur (sikur të ngjallen një ditë do të bëhet kasaphanë), të gjitha komplekset e veta. Pra, asaj i duhet ose të përshtatet ose të hiqet qafe një herë e mirë. Gjithmonë do të gjendet kohë për të ndërtuar një mur të ri, madje që nga themelet. Ose, le të mbetet lexuesi kritiku i parë dhe i fundit.